Osmani kundër LDK-së: Heqja e reciprocitetit është heqje dorë nga barazia

Vendimit për heqjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë i ka reaguar edhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani.

Bashkëpartiakja e kryeministrit Hoti ka thënë se “Ta quash reciprocitetin ‘pengesë’ do të thotë që barazinë e konsideron pengesë. Do të thotë që nuk e don vendin tënd të trajtuar të barabartë me të tjerët.”, shkruan lajmi.net.

Ajo tutje shprehet se heqja dorë nga e drejta për trajtim të barabartë, do të thotë të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar sovran si shtet.

Ky është reagimi i plotë:

Ta quash reciprocitetin ‘pengesë’ do të thotë që barazinë e konsideron pengesë. Do të thotë që nuk e don vendin tënd të trajtuar të barabartë me të tjerët. Ta quash reciprocitetin pengesë do të thotë që ti nuk beson se ke të drejta sovrane, të pavarura e të barabarta, siç janë të parapara në Deklaratën e Pavarësisë e në Kushtetutën e vendit. Të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar i barabartë do të thotë të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar sovran si Republikë e Kosovës.