Osmani: Kosova mbetet e përkushtuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të kryesuar nga Petra Bayr, i cili do t`i vëzhgojë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 9 shkurtit.

Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ndaj institucioneve të Kosovës dhe mirëpriti angazhimin e këtij misioni, i cili për herë të parë do t`i monitorojë zgjedhjet në Kosovë.

“Në takim u theksua se zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 janë zgjedhjet e para të rregullta që do të mbahen në përputhje me Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndaj Presidentja vlerësoi këtë moment si një hap të rëndësishëm në përmirësimin e proceseve demokratike në vend”, ka shkruar Presidenca.

Madje, e para e vendit theksoi nevojën për një fokus të veçantë në përfaqësimin e grave në të gjitha fazat e procesit zgjedhor, sikurse edhe respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, duke siguruar qasje të plotë dhe të barabartë në qendrat e votimit.

Më tej, ajo potencoi se Kosova mbetet e përkushtuar për t’u anëtarësuar në KiE, ndaj do të vazhdojë ta fuqizojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e sundimit të ligjit