Osmani kërkon takim me Jasharin dhe Maqedoncin për çështjen e shujtave të FSK-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është e shqetësuar për situatën e krijuar sa i përket furnizimit me ushqim të ushtarëve të FSK-së.

Kështu bëri të ditur për Indeksonline, këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.

“Presidentja Osmani ka përcjellë me shqetësim situatën e krijuar ditëve të fundit sa i përket furnizimit me ushqim të ushtarëve të FSK-së, ndaj menjëherë ka kërkuar raport të detajuar nga komandanti i FSK-së”.

Në përgjigje të Kupinës, thuhet se e para e vendit ka kërkuar takim për ta diskutuar këtë çështje edhe më në detaje me komandantin e FSK-së, Bashkim Jashari dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Po ashtu i ka ftuar në takim për ta diskutuar këtë çështje edhe më në detaje komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Jashari, por edhe Ministrin e Mbrojtjes z.Maqedonci. Presidentja angazhohet, brenda kompetencave të saj, në funksion të zgjidhjes së problemit të shfaqur që ndikon pashmangshëm në operacionalitetin e FSK-së, procesin zhvillimor të saj, imazhin dhe integritetin e saj institucional.

“Përndryshe, Presidentja Osmani ka kohë që ka bërë propozimin për program shtetëror për mbështetjen e shumëdimensionale të FSK-së që ndikon direkt në rritjen e mirëqenies socio-ekonomike të saj, njëherit edhe motivin e tyre.

Programi 7-pikësh përfshinë këto elemente:

1. Pagesa e shtesave në paga për rrezikshmëri.

2. Pagesa e kujdestarisë dhe punës jashtë orarit.

3. Pagesa e mëditjeve për pjestarët e FSK-së gjatë shkollimit dhe trajnimit jashtë vendit (gjatë tërë periudhës së shkollimit apo trajnimit e jo vetëm për 1 muaj).

4. Sigurimi shëndetesor.

5. Funksionalizimi i spitalit ushtarak me shërbime të nivelit sekondar dhe tercial mjekësor.

6. Përmirësimi i cilësisë së ushqimit me standardet me të larta shëndetësore dhe sanitare.

7. Sigurimi i banimit të përballueshëm për ushtarakët dhe familjet e tyre.

8. Krijimi i fondit kreditues për ushtarakët.

Realizimi i këtij programi mbështetës, gjithashtu ndikon në fuqizimin e operacionalitetit të FSK-së, në kohën e tranzicionit e zhvillimit të saj me qëllim të realizimit të detyrave ligjore dhe misionit kushtetues të saj për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror.

Përgjatë ditëve në vijim, pas takimeve të radhës me institucionet relevante, do të mund t’ju japim më shumë detaje lidhur me këtë çështje”, ka thënë ai.