Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka diskutuar për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes mes dy vendeve.
Osmani sipas komunikatës së Presidencës ka kërkuar ngritje e nivelit të bashkëpunimit strategjik në këtë fushë, si hap për anëtarësimin në NATO.
“Diskutimet u fokusuan në bashkëpunimin e ngushtë dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në reformat institucionale dhe promovimin e sundimit të ligjit, ndaj Presidentja Osmani falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e deritashme në fushën e mbrojtjes. Më tej, Presidentja Osmani shtroi nevojën e ngritjes së nivelit të bashkëpunimit strategjik në këtë fushë, si hap drejt përgatitjes së Kosovës për anëtarësim në NATO”, thuhet nga Presidenca.
Osmani, poashtu falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për programin e bursave Chevening dhe diskutoi mundësitë për zgjerimin e shkëmbimeve arsimore dhe kulturore, si dhe për forcimin e partneritetit në këto fusha.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë për adresimin e sfidave dhe avancimin e aspiratave të përbashkëta, duke shfaqur gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve në të gjitha fushat.