Ballina Lajmet Kosovë Osmani: Ka prova konkrete për involvimin e Serbisë në sulmin në Ibër-Lepenc

Osmani: Ka prova konkrete për involvimin e Serbisë në sulmin në Ibër-Lepenc

Kosova është e sigurt se me sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit ka lidhje të drejtpërdrejta Beogradi zyrtar, ka ritheksuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një prononcim për gazetarët në Bruksel.

Ajo ka thënë se pavarësisht procedurave të Bashkimit Evropian dhe NATO-s për të përcaktuar fajësinë e dikujt për sulmin, institucionet e Kosovës janë të sigurta për fajtorin. Ka shtuar tutje se këto nuk janë deklarata politike të autoriteteve shtetërore, por “konstatime që bazohen në prova”.

Osmani është shprehur se sulmet, si ato të majit ndaj ushtarëve të KFOR-it, ai i shtatorit e vitit 2023 në Banjskë e ky në Ibër-Lepenc, janë sulme në të cilat janë të përfshira organizatat terroriste “që janë në listën e pagave të vetë Beogradit zyrtar dhe ata as nuk e fshehin një gjë të tillë”.

“Institucionet e Kosovës nuk merren asnjëherë me paragjykime, por me prova konkrete. Ta përmend një, personat e arrestuar për këtë sulm janë anëtarë të organizatës terroriste ‘Mbrojtja Civile’. Anëtarët e kësaj organizate edhe emërohen nga Beogradi zyrtar, edhe paguhen nga Beogradi zyrtar. Edhe mos të ekzistonte asnjë lidhje tjetër vetë fakti që këta janë zyrtarë të Beogradit, janë njerëz të Beogradit që paguhen, mbështeten, trajnohen nga ana e Beogradit, në mënyrë që të kryejnë sulme të tilla kundër Kosovës dhe pastaj mbështeten politikisht, siç po mbështetet e po fshihet në Serbi Radoiçiqi, janë dëshmi të mjaftueshme për involvimin e Serbisë. Nuk ka këtu fare paragjykim, por ka prova konkrete për involvimin e Serbisë, për të cilat edhe sa i përket sulmit të shtatorit 2023, institucionet e BE-së, NATO, janë informuar, dhe sa i përket këtij sulmi terrorist tani janë informuar për provat e deritanishme por institucionet tona të sigurisë po vazhdojnë të punojnë”, ka thënë ajo.

Osmani ka potencuar se mosmbajtja e Serbisë përgjegjëse për sulmet e vitit të kaluar në veri i ka shtyrë grupet kriminale ta sulmojnë Kosovën më tej.

“Fakti që nuk ka pasur fare përgjegjësi për Serbisë as për sulmin e shtatorit 2023, as për sulmin ndaj ushtarëve të NATO-s në maj, as për kidnapimin e policëve të Kosovës në qershor 2023, as për barrikadë pas barrikade që kanë ndërtuar ilegalisht në veriun e Kosovës dhe krimet që kanë kryer jo vetëm ndaj institucioneve të Kosovës dhe rregullimit kushtetues por edhe ndaj serbëve që jetojnë në veri, kjo ka qenë inkurajim i vazhdueshëm për këto grupe kriminale dhe Serbinë që të mendojnë se si ta sulmojnë Kosovën por edhe stabilitetin rajonal përsëri. Parandalimi dhe bashkëpunimi ynë në parandalimin e sulmeve të tilla është kyç”.

Deklaratat e presidentit serb se edhe në Serbi do të zhvillohet hetim për shpërthimin në Ibër-Lepenc, presidentja Osmani i ka quajtur praktikë të zakonshme të Aleksandër Vuçiqit për ta larguar vëmendjen nga kryesit e sulmit.

“Është një praktikë për ta larguar vëmendjen nga autorët e vëtyeyë që e kanë urdhëruar një sulm të tillë. Taktikat e tilla Serbia ka përdorur edhe në të kaluarën, pra gjuaje gurin-fshehe dorën është prej metodave të zakonshme të Serbisë”, ka shtuar ajo.

Osmani ka thënë tutje se me partnerët ndërkombëtarë po punojnë në parandalimin e sulmeve të reja.

“Kosova i ka bërë ftesë partnerëve ndërkombëtarë që të bashkohen në hetimet rreth këtij akti terrorist dhe përkundër faktit që është kryer në mënyrë shumë profesionale, është akt terrorist nga njerëz që e kanë menduar shumë gjatë, besoj që ka prova të mjaftueshme për ta dëshmuar lidhjen me Serbinë. Përtej çështjes së përgjegjësisë ajo për të cilën po punojmë me partnerët është parandalimi i sulmeve të reja”, është shprehur ajo.

Exit mobile version