Vjosa Osmani i është drejtuar popullit të Kosovës në cilësinë e presidentes.
Pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga posti i presidentit, Vjosa Osmani është emëruar ushtruese detyre e presidentes së vendit.
Në cilësinë e ushtrueses së detyrës së presidentes, Osmani, iu ka drejtuar popullit të Kosovës pas aktakuzave të konfirmuara nga Gjykata Speciale, raporton lajmi.net.
Ajo ka çmuar lartë gatishmërinë e të gjithëve për bashkëpunim me drejtësinë, mirëpo ka bërë të ditur se ka qenë Serbia ajo që ka kryer krime në Kosovë dhe se në asnjë mënyrë nuk duhet të barazohet viktima dhe agresori.
“Serbia ka vrarë mbi 13 mijë në Kosovë, 1 mijë e 133 prej tyre ishin fëmijë, më së shumti në të gjitha luftërat e zhvilluara në hapësirat e ish-Jugosllavisë për kokë banori. Paqja e qëndrueshme në rajon, prandaj kërkon që viktima dhe agresorët të mos barazohen. Në shqiptarët e Kosovës kemi qenë viktimë e hegjemonisë të një shteti gjenocidal, kurse Serbia ishte shteti që kreu këto krime. Këtë duhet ta themi çdo herë me zë të lartë këtu e në çdo vend tjetër”, ka thënë Osmani, raporton lajmi.net.
Osmani, pas zhvillimeve të fundit në vend, ka kërkuar unitet politik e shoqëror.
Më poshtë ju sjellim një pjesë të fjalimit të Osmanti:
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovë. Vendi ynë po kalon ditë të vështira. Qytetarët e Kosovës duhet të dëshmojnë besnikëri dhe unitet ndaj projektit tonë të përbashkët, republikës sonë.
Vendi ynë ka kaluar sfida të shumta gjatë historisë, përfshirë edhe luftën e fundit. Prandaj duhet të ushtrojmë me maturi përgjegjësitë institucionale dhe ta forcojmë qëndrueshmërinë e shtetit tonë sepse shteti bëhet i fortë edhe kur përballet me sfida duke i tejkaluar ato dinjitetshëm. Ne jemi të vetëdijshëm se veprimet e Dhomave të Specializuara janë rrjedhojë e obligimeve shtetërore të cilat Kosova i ka pranuar. Proceset që vijnë pas nuk do ta dëmtojnë projektin tonë kombëtar për liri, i cili është ndërtuar mbi sakrificën e brezave të tërë dhe gjakun e derdhur të ushtarëve të ushtrisë tonë çlirimtare. Unë dua t’u shpreh vlerësimin tim të gjithë atyre të cilët kanë treguar vendosmëri dhe besim në institucione dhe i janë përgjigjur ftesës së Dhomave të Specializuara duke dëshmuar kështu besim të palëkundur në drejtësi. Të dashur qytetarë, beteja për shtetndërtim është beteja më e vështirë politike, prandaj urtia dhe mençuria, tiparet e traditës tonë janë të nevojshme në këtë moment. Kjo kohë kërkon lidership të fuqishëm dhe përgjigje të unifikuar shtetërore. Sot kur vendi ynë përballet edhe me pandeminë, ne kemi nevojë edhe për solidaritet dhe mirëkuptim të plotë me njëri-tjetrin. Si ushtruese e detyrës së presidentes do të përkushtohem që funksionin tim duke i promovuar pikërisht këto vlera. Gjatë këtij rrugëtimi sikurse edhe deri më tash, do të angazhohem çdo ditë që Kosova të bëhet shtet ku ëndrrat e qytetarëve tani jetësohen, ku krijohen mundësi të barabarta për të gjithë në të gjitha sferat. Do të sigurohem që zëri tim t’i bashkëngjitet zërit të qytetarëve e të jehoj më fort se kurrë. Prandaj dua t’ju lus si qytetarë të këtij vendi të përkushtuar ndaj vlerave demokratike të qëndrojmë fort afër njëri-tjetrit për të dëshmuar se kuptojmë dhe i ndajmë këto vlera me njëri-tjetrin. Unë jam e bindur se si vend dhe të gjithë së bashku do të qëndrojmë fort…….
E kemi ruajtur këtë shpresë e këtë besim edhe kur kemi qenë viktimë e një agresioni të rëndë. Serbia ka vrarë mbi 13 mijë në Kosovë, 1 mijë e 133 prej tyre ishin fëmijë, më së shumti në të gjitha luftërat e zhvilluara në hapësirat e ish-Jugosllavisë për kokë banori. Paqja e qëndrueshme në rajon, prandaj kërkon që viktima dhe agresorët të mos barazohen. Në shqiptarët e Kosovës kemi qenë viktimë e hegjemonisë të një shteti gjenocidal, kurse Serbia ishte shteti që kreu këto krime. Këtë duhet ta themi çdo herë me zë të lartë këtu e në çdo vend tjetër…