Osmani e quan akt terrorist sulmin në kanalin e Ibër – Lepencit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të së premtes me mjet shpërthyes në kanalin e Ibër-Lepencit në Komunën e Zubin Potokut.

Osmani ka thënë se bandat kriminale serbe kanë humbur çdo betejë me institucionet e Kosovës dhe do të humbin serish në përpjekjet e tyre për të sulmuar infrastrukturën jetike të Republikës së Kosovës me akte terroriste.

“Bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës. Do të humbin sërish, në përpjekjet e tyre qyqare për të sulmuar infrastrukturën jetike të Republikës sonë nëpërmjet akteve terroriste. Mbrojtja e kushtetutshmërisë e ligjshmërisë në çdo cep të vendit dhe lufta e pa kompromis ndaj këtyre elementeve kriminale janë jetike”, ka shkruar Osmani.

Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve për qetësi e maturi.

“I ftoj qytetarët të vazhdojnë të tregojnë qetësi e maturi derisa institucionet tona po merren me hetimin e rastit dhe sanimin e dëmit me profesionalizmin më të lartë. Përveç institucioneve tona, partnerët tanë ndërkombëtar të sigurisë menjëherë kanë ofruar ndihmën e tyre edhe për sanimin e dëmit të shkaktuar dhe për furnizim me ujë e po ashtu për hetim të këtij akti kundër shtetit e qytetarëve tanë”, ka thënë presidentja./