Osmani e Kurti vizitojnë nënë Ferdonijen: Asnjë festë nuk do të jetë kremte e plotë pa u kthyer njerëzit tanë

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, së bashku me kandidatin për kryeministër, Albin Kurti, ka vizituar Nënë Ferdonije Qerkezi, të cilës gjatë luftës së fundit forcat serbe ia rrëmbyen bashkëshortin dhe djemtë.

Osmani përmes një statusi në Facebook ka thënë se do të jenë zëri i nënës Ferdonije e i mijëra nënave të tjera anekënd Kosovës në kërkim të drejtësisë.

Sipas saj, asnjë festë e asnjë përvjetor nuk do të jetë kremte e plotë pa u kthyer njerëzit tanë.

Ky është statusi i tij i plotë:

E përmbyllëm këtë ditëlindje të shtetit tonë në vizitë tek Nëna Ferdonije Qerkezi, të cilës që nga viti 1999 i mungojnë bashkëshorti e djemtë, që u zhdukën me dhunë nga forcat serbe. Kjo datë, 17 shkurti, është edhe data e lindjes së djalit të saj, Artanit.

Shtëpia ku akoma ruhen gjësendet e djemve të saj, të cilëve  ajo çdo ditë ju flet nëpërmjet fotografive të tyre, na përkujton se sa i lartë ishte çmimi i lirisë. Rrobat e tyre, lodrat me të cilat ishin rritur, lugët me të cilat kishin ngrënë, e djepi në të cilin i kishte përkundur…që të gjitha ishin ende aty, në këtë shtëpi muze. Dhimbje që nuk përshkruhet me fjalë, e plagë që nuk mbyllet pa drejtësi e pa kthimin e të gjithë të zhdukurve në tokën e të parëve tanë. Në këtë 13- vjetor të shtetit tonë, ritheksojmë zotimin se secila e secili prej nesh do të jemi zëri i nënës Ferdonije e i mijëra nënave të tjera anekënd Kosovës në kërkim të drejtësisë. Asnjë festë e asnjë përvjetor nuk do të jetë kremte e plotë pa u kthyer njerëzit tanë.