Ballina Lajmet Kosovë Osmani e Kurti: U rikonfirmua se Kosova s’ka mike më të madhe...

Osmani e Kurti: U rikonfirmua se Kosova s’ka mike më të madhe sesa SHBA-në

Krerët e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti e kanë quajtur të shkëlqyeshëm, të përzemërt e fort të dobishëm, takimin që kanë pasur të martën me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në Departamentin e Shtetit.

Në një deklaratë për gazetarët pas takimit, Osmani ka thënë se në këtë takim u rikonfirmua edhe një herë që “Kosova s’ka mik më të madh, më të mirë e më të fuqishëm sesa SHBA-ja”.

Osmani u shpreh se në takim me Blinkenin u diskutua për të ardhmen e Kosovës në arenën ndërkombëtare, si dhe mbështetjen e nevojshme nga SHBA-ja.

“Diskutuam tema që kanë të bëjnë me suksesin e Kosovës dhe të ardhmen e saj në arenën ndërkombëtare. Paraqitëm para sekretarit Blinken reformat të cilat janë duke u ndërmarrë në Kosovë dhe sfidat me të cilat ballafaqohemi, për të cilat kemi nevojë për përkrahjen e SHBA-së”, ka thënë Osmani pas takimit.

Osmani ka shtuar se pa përkrahjen e SHBA-së Kosova s’mund të ketë suksese as në pranimin në organizata ndërkombëtare. Ka thënë se në takim është folur për fuqizimin e subjektivitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, përfshirë atë nëpërmjet njohjeve. Ajo ka thënë se temë diskutimi ka qenë edhe rëndësia e pranimit të Kosovës në NATO.

Sipas presidentes, partnerët e Kosovës tashmë e kanë të qartë që Kosova u përket vendeve demokratike që duan ndaljen e agresionit rus. Serbinë e ka quajtur satelit të Putinit në rajon.

“Roli që Rusia ka në rajonin tonë me qëllim ta destabilizojë Ballkanin nëpërmjet satelitit të saj, Serbisë, e më pas ta destabiliziojë gjithë kontinentin. Ka qenë ndër çështjet që i kemi ngritur. Sekretari Blinken e edhe presidenti Joe Biden e njohin mirë këtë histori të intencave ruse në rajonin tonë dhe s’e largojnë asnjëherë vëmendjen nga Ballkani Perëndimor që bashkë të punojmë t’i ndalim këto intenca për ndikim në rajonin tonë. Agresioni rus në Ukrainë dhe momenti sfidues që po kalon Evropa dhe partnerët demokratikë kanë dëshmuar që kush janë demokracitë e vërteta, siç është Kosova që ka ndërmarrë sanksione e kush janë ata që i ndihmojnë Putinit. Janë të qarta për partnerët tanë, por i kemi diskutuar sërish që të jemi më të koordinuar”, ka shtuar Osmani.

Ndërkaq kryeministri Albin Kurti ka thënë se “takimi ishte shumë i përzemërt dhe fort i dobishëm për raportet e shkëlqyeshme mes Kosovës dhe SHBA-së”.

“Ne treguam se si Kosova është rrëfim suksesi në mënyrë të dyfishtë. Së pari i punës dhe qëndrueshmërisë së popullit, dhe ndërhyrjes së NATO-s për ta ndalë gjenocidin e Serbisë, dhe së dyti rrëfim suksesi i një demokracie cilësore e cila shkon bashkë me zhvillimin ekonomik. Në kontrast me disa fuqi të tjera nëpër botë që duan të tregojnë për zhvillim ekonomik, demokracia s’është e nevojshme. Shteti jo i madh i Kosovës është shembull se zhvillimi ekonomik dhe demokracia cilësore shkojnë bashkë”, u shpreh Kurti.

Kreu i ekzekutivit tutje shtoi se përfituan nga ky takim për t’i kërkuar Blinkenin shtimin e investimeve amerikane në Kosovë.

“Përfituam nga rasti që nga Sekretari Blinken të kërkojmë shtimin e investimeve amerikane në Kosovë dhe ta rrisim shkëmbimin tregtar midis dy vendeve tona. Edhe në NATO, ne e kemi bashkëpunimin shumë të ngushtë me SHBA-në sepse mbrojtja është fushë në të cilën Kosova e ka rritur ndjeshëm buxhetin. Synojmë që siguria e Kosovës, që është siguri jo vetëm e shtetit dhe popullit, por edhe e progresit të arritur, ta ketë për partner të padiskutueshëm e gjithnjë e më të fuqishëm, pikërisht SHBA-në”, deklaroi Kurti para gazetarëve në SHBA.

Presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli, udhëtuan të hënën drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për nënshkrimin e marrëveshjes 200-milionëdollarëshe me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për Programin Kompakt të Kosovës.

Bordi Ekzekutiv i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) ka miratuar në fund të qershorit Programin Kompakt me Kosovën në vlerë prej mbi 200-milionë dollarësh. Marrëveshja ka të bëjë me projektet për energjinë.

Exit mobile version