Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, do të dekorojë, post mortem, me Medaljen Presidenciale të Meritave, punonjësit shëndetësorë të cilët derisa aktivisht po ofronin shërbime shëndetësore, u infektuan me koronavirus dhe humbën jetën nga ky infeksion.
“Mijëra punonjës shëndetësor u infektuan nga virusi Covid-19, si vija e parë e përballjes me pandeminë. Përderisa shumica i mbijetuan këtij virusi të rrezikshëm dhe menjëherë u kthyen në shërbim të pacientëve, disa prej tyre, për fat të keq, humbën jetën në këtë përballje. Kontributi i tyre, duke dhënë edhe jetën vetëm e vetëm për t’i shërbyer pacientëve të tyre, duke respektuar betimin e Hipokratit deri në frymën e fundit, meriton të nderohet nga të gjithë ne”, ka thënë Osmani.
Ajo ka treguar se ceremonia e ndarjes së dekoratave do të organizohet së shpejti në Presidencë, në prani të familjarëve.
“Ndërkaq lista e të dekoruarve do të përditësohet konform informatave që i marrim nga institucionet përgjegjëse”, ka deklaruar Osmani.