Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, do të priten në takim nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pas nënshkrimit të marrëveshjes me MCC-në.
Siç njofton Presidenca, në fokus të diskutimeve do të jetë thellimi i partneritetit bilateral Kosovë-SHBA në nivel strategjik, angazhimi i përbashkët në drejtim të adresimit të sfidave ndaj paqes dhe sigurisë në rajon dhe Evropë, si dhe mbështetja për Kosovën në sektorët strategjik.
“Takimi me Sekretarin e Shtetit Blinken do të mbahet në një periudhë përcaktuese për sigurinë dhe paqen në rajonin tonë, si dhe për kontinentin evropian e më gjerë si pasojë e luftës së Rusisë në Ukrainë”.
Sipas njoftimit, në takim, Osmani do të kërkojë vazhdimin e mbështetjes amerikane për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, duke përfshirë edhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Ajo do ta informojë Sekretarin Blinken edhe për hapat të cilat i ka ndërmarrë Kosova në avansimin e rrugëtimit euroatlantik, si dhe për angazhimin aktiv të institucioneve të Kosovës në drejtim të zbatimit të reformave në fushën e sundimit të ligjit.
Me qëllim të hapjes së kapitujve të rinj të bashkëpunimit nën kornizën e partneritetit bilateral strategjik, do të diskutohet edhe për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, ekonomisë, si dhe fusha të tjera të rëndësisë së veçantë.
Takimi do të mbahet në Departamentin Amerikan të Shtetit në ora 16:30, sipas orës lokale në Washington D.C., respektivisht në ora 22:30 sipas kohës së Kosovës.
Ndërkaq, Bordi Ekzekutiv i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) ka miratuar në fund të qershorit Programin Kompakt me Kosovën në vlerë prej mbi 200-milionë dollarësh. Marrëveshja ka të bëjë me projektet për energjinë.
Sipas njoftimit të mëhershëm të Qeverisë, programi do të përfshijë këto tri projekte:
1. Rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet 170 MW, që ofrojnë rezervë 340 MWh),
2. Zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë, dhe
3. Projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim.
Nga ky financim 200 milionë dollarësh do të vijë në formë granti nga SHBA-ja përmes MCC-së, rreth 35 milionë dollarë do të jetë kontribut nga Qeveria e Kosovës, ndërsa 2 milionë do të jenë fonde nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim (ACFD).
Projekti i parë konsiston në blerjen dhe instalimin e baterive me kapacitet të lartë, që shërbejnë si rezerva të energjisë.