Ballina Lajmet Kosovë Osmani: Aleatët t’i bëjnë presion Serbisë që t’i respektojë obligimet që i...

Osmani: Aleatët t’i bëjnë presion Serbisë që t’i respektojë obligimet që i ka marrë nga Ohri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar homologun e Maqedonisë së Veriut, Sveno Pendarovski, për votën pro të vendit për pranimin e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Osmani ka thënë se me Maqedoninë e Veriut ndajnë vizionin e njëjtë për të ardhmen, ndërsa ka theksuar se tendenca për destabilizim të rajonit vazhdon ende, por nuk duhet lejuar që të ndodhë.

“Kosovës iu konfirmua edhe liberalizimi i vizave për qytetarët tanë në fillim të kësaj jave e po ashtu Kosova bëri një hap më afër anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Në këtë fryme dua të ju falënderoj juve president dhe gjithë institucionet e Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e palëkundur ndaj vendit tonë e në veçanti për votën që Maqedonia e Veriut dha pro Kosovës në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës me datën 24. Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk janë vetëm shtete gjeografikisht afër njëra tjetrës, por mbi të gjitha janë shtete qe ndajnë vizionin e njëjtë për te ardhmen. Kemi nënshkruar mbi 40 marrëveshje bilaterale dhe shume memorandume ndërministrore e ka edhe nisma të shumta të tjera për të nënshkruar marrëveshje të reja”, tha Osmani.

Fjalë të mira për Kosova pati edhe Pendarovski, i cili theksoi faktin se ky është takimi i katërt me Osmanin. Ai thotë se gëzohet nga fakti që ka një dinamike të tillë të takimeve.

“Me presidenten, kishim një bisedë kuptimplotë, mbi bashkëpunimin ekonomik dhe çështjet rajonale. Ne e mbështesim Kosovën në anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Osmani u pyet për takimet e 2 majit në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Ajo ka thënë se Kosova është e gatshme të vazhdojë të kontribuojë për këtë proces, ndërsa ka deklaruar se shpreson që aleatët ndërkombëtarë t’i bëjnë presion Serbisë që t’i respektojë obligimet që i ka marrë nga ky proces.

“Çka mund të garantoj unë si presidente e Republikës së Kosovës është që Kosova do të marrë pjesë edhe në këtë rund të bisedimeve në mirëbesim do të jete jashtëzakonisht konstruktive dhe e hapur gjithnjë duke mbrojtur sovranitetin e Kosovës. Shpresoj shumë qe miqtë dhe aleatët tanë do të sigurohen që të bisedojnë rreth kësaj periudhe, të bëjnë presion mbi Serbinë në mënyrë që edhe ajo të respektojë obligimet qe janë marrë nga ky proces i cili ka qenë një hap i rëndësishëm ku Kosova dhe Serbia trajtohen nga aspekti drejt marrëdhënies ndërkombëtare si dy palë të barabarta sa i përket raporteve ndërshtetërore. Çka presim nga ndërmjetësit e Bashkimit Evropian, por edhe nga aleatët e tjerë që janë si mbikëqyrës të këtij procesi është që të kujdesen qe ajo që Serbia dakordohet ta bëjë në fakt edhe të zbatohet.

Në anën tjetër, Pendarovski ka thënë se ata dëshirojnë që sa më shpejt t’i vijë fundi këtij procesi.

Osmani më pas ka mbajtur një fjalim para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku ka theksuar se fqinjësia mes dy vendeve të vazhdojë në këtë mënyrë.

“Kosova është treguar konstruktive dhe si e tillë do të qëndrojë edhe gjatë zbatimit të marrëveshjes. Le të vazhdojmë të jemi fqinjë të mire mes vete. Sot ne po takohemi në Shkup dhe uroj që në një të ardhme të afërt të takohemi në djepin e Bashkimit Evropain. Kufijtë na ndajnë, por Evropa do të na bashkojë”, ka thënë ajo.

Osmani po qëndron në një vizitë zyrtare në Maqedoni të mërkurën. Do të zhvillojë takime me krerë të tjerë institucionalë e krerë partish.

Exit mobile version