Organizohet protestë para Qeverisë së Malit të Zi pas masakrës në Cetinje

Para Qeverisë së Malit të Zi sonte u zhvillua një protestë, ku disa qindra qytetarë të Podgoricës kërkuan dorëheqjen e gjithë lidershipit politik të sistemit të sigurisë, pas masakrës që ndodhi në Cetinje më 1 janar, kur Aco Martinoviq vrau 12 bashkëqytetarë të tij, raporton Anadolu.

Qytetarët mbanin pankarta ku shkruhej “Duart i keni të përgjakura”, “Ju është kalbur sistemi” dhe “12 minuta heshtje”. Para qeverisë u dëgjuan thirrjet si “vrasës, dilni jashtë” dhe “dorëheqje”.

Njëra nga të pranishmit në protestën e sotme, Jelena Doderoviq, përmes lotëve tha se sot është në protestë në emër të fëmijëve të saj dhe të gjithë banorëve.

“Ne jemi të gjithë objektiva. Turp për sistemin”, tha Doderoviq.

Nikolla Miliq, një nga pjesëmarrësit e protestës, tha se masakra në Cetinje ka prekur shumë popullin dhe shoqërinë malazeze.

Sipas tij, arsyeja e vërtetë e tubimit është protesta kundër “qeveria pushtuese” të Malit të Zi.

“Kjo personifikohet nga kryeministri Milojko Spajiq dhe kryetari i Kuvendit Andrija Mandiq”, theksoi Miliq.

Në momentin e protestës filloi seanca e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Malit të Zi, ku u shqyrtua për vendosjen e masave të reja që synojnë rritjen e sigurisë.