Organizatat turke dhurojnë ndihmë për nevojtarët në Kosovë

Fondacioni Humanitar IHH nga Turqia, në bashkëpunim me Shoqatën WEFA nga Austria, Shoqatën Sadakataşı, Bursa Fetih-Der, Shoqatën ONhayat nga Gjermania dhe Fondacionin e Jetimave të Kosovës, do të shpërndajë ushqim dhe qymyr për 700 familje në nevojë dhe pallto dimri për 420 jetima, raporton Anadolu Agency (AA).

Osman Atalay, anëtar i bordit të IHH-së, tha për AA se ata synojnë që gjatë një jave t’ua dhurojnë familjeve nevojtare ndihmat e ardhura nga Turqia dhe Evropa dhe se prioritet do të jenë personat e moshuar dhe jetimat, pa dallime etnike.

Atalay tha se nevojtarët nuk duhet harruar as gjatë periudhës së vështirë të pandemisë.

“Ne erdhëm këtu me ndihmat e donatorëve tanë në këto ditë të vështira si një dorë ndihme nga Turqia, për jetimat dhe familjet nevojtare, që janë goditur më keq në periudhën e pandemisë”, theksoi ai.

Ndërkaq, Hasan Yetiş nga Shoqata WEFA tha se falënderoi ata që kanë ofruar ndihmë.

Shpërndarja e ndihmave që filloi në Skenderaj, Fushë Kosovë dhe Mitrovicë tek veteranët e luftës dhe komunitetet pakicë, do të vazhdojë në qytetin e Prizrenit.