Organizatat humanitare turke vazhdojnë të ndihmojnë myslimanët e Arakanit.
Në kampin e refugjatëve Balukali, që është njëri prej pesë kampeve të ngritura në kufirin Bangladesh-Arakan, organizatat humanitare turke shpërndajnë ndihma në ushqim.
Në kampin Balukali janë strehuar afërsisht 100 mijë myslimanë të Arakanit.
Myslimanët e Arakanit, të ikur nga sulmet e ushtrisë dhe të nacionalistëve budistë në provincën Arakan të Mianmarit, me vështirësi arrijnë në kampet në fjalë.
Bëhet e ditur se ndihmat e dërguara nga Shoqata “Guri i lëmoshës” (Sadaka Taşı) kanë arritur në kampin Balukali.
Ndërkohë në Qendrën e Entit të Çështjeve Fetare Diyanet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u organizua një protestë në shenjë përkrahjeje ndaj myslimanëve të Arakanit.
Në këtë manifestim të organizuar në qendrën në fjalë që ndodhet në Maryland gjysmë ore larg nga Uashingtoni morën pjesë mbi 20 organizata myslimane të shoqërisë civile të Amerikës.
Prej 25 gushtit e këtej, në sulmet e ndërmarra ndaj civilëve në Arakan nga ana e ushtrisë e Mianmarit me pretekst të luftimit me grupe të armatosura, janë vrarë me mijëra myslimanë.
Numri i saktë i civilëve të vrarë nuk mund të përcaktohet për shkak të ndalesës së hyrje-daljeve në zonë që u vendos nga udhëheqja e Mianmarit.
Në këto sulme ushtria dhe nacionalistët budistë dogjën dhe shkatërruan rreth 200 fshatra. Bëhet e ditur se dhjetëra mijëra myslimanë përpiqen për tu larguar nga kjo zonë për shkak të sigurisë për jetë./Mesazhi/