Organizatat e të drejtave të njeriut u bëjnë thirrje liderëve botërorë të ndalojnë okupimin izraelit të territoreve palestineze

Rreth 30 organizata ndërkombëtare përfshirë Oxfam, Medical Aid for Palestinians dhe ActionAid, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, duke kërkuar nga liderët botërorë që të marrin masa të menjëhershme për t’i dhënë fund okupimit izraelit të territoreve palestineze.

Në deklaratë theksohet se kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj që kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara i kërkoi Izraelit që të përfundojë okupimin brenda 12 muajve, në përputhje me opinionin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ). Por, në vend të respektimit të këtij vendimi, “Izraeli e ka shtuar dhunën në Bregun Perëndimor dhe ka rifilluar bllokadën dhe bombardimet ushtarake në Gaza, duke shkelur një armëpushim të brishtë dy mujor dhe duke e përkeqësuar krizën humanitare të shkaktuar nga vetë njeriu”, thuhet në deklaratë.

Organizatat i kërkojnë komunitetit ndërkombëtar që të përmbushë përgjegjësitë ligjore dhe morale, përmes këtyre masave:

  • Të sigurohet përfundimi i okupimit të paligjshëm nga Izraeli dhe të kërkohet tërheqja e plotë e trupave ushtarake dhe infrastrukturës civile nga territoret palestineze të okupuara.
  • Të mbahet Izraeli përgjegjës për shkeljet e ligjit humanitar ndërkombëtar.
  • Të pezullohen të gjitha shitjet e armëve për Izraelin.
  • Të ndalet çdo tregti apo bashkëpunim ekonomik me vendbanimet e paligjshme izraelite që mbështesin okupimin.
  • Të forcohet bashkëpunimi shumëpalësh për të garantuar vetëvendosjen e popullit palestinez.

Deklarata është një thirrje e fortë për veprim konkret dhe të menjëhershëm nga bashkësia ndërkombëtare në mbrojtje të të drejtave të popullit palestinez. /mesazhi