Organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch (HRW) bëri thirrje për futjen e embargos të armëve ndaj “ushtrisë së Mianmarit e cila udhëheqë fushatën e spastrimit etnik kundër muslimanëve të Arakanit”, raporton Anadolu Agency.
Në deklaratën e HRW-së, theksohet se forcat e armatosura të Mianmarit nga 25 gushti, vrasin, rrëmbejnë dhe shkatërrojnë qindra vendbanime të muslimanëve të arakait (Rohingya), duke shkaktuar qindra mijëra njerëz të ikin në Bangladesh.
HRW u bëri thirrje udhëheqësve të botës që të mblidhen në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), e cila do të fillon nesër në New York që ti japin përparësi krizës së Arakanit dhe të dënojnë barbarizmin që po vazhdon, por gjithashtu edhe pengimin e shpërndrajes së ndihmës humanitare për njerëzit në nevojë.
Përveç kësaj, HRW kërkoi nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së të vendoste ndalimimin e udhëtimit për personat përgjegjës për dhunën dhe ngrirjen e pronës së tyre.
Organizata potencoi nevojën e futjes së embargos gjithëpërfshirëse të armëve kundër Mianmarit, e cila do të përfshinte ndalimin e bashkëpunimit ushtarak dhe transaksioneve financiare.
Në deklaratë shtohet se presin që të dërgohen ndihma humanitare popullatës në Mianmar, të lejohet hyrja e delegacionit të OKB-së për të përcaktuar nëse ka shkelje të të drejtave të njeriut në vend, dhe tu mundësojnë kthimin e sigurt muslimanëve të Arakanit, të cilët në mënyrë vullnetare dëshirojnë të kthehen në shtëpitë e tyre.
“Në fazën e parë KS të OKB duhet të mbajë takim ku do të diskutohet reagimi ndaj krizës. Këshilli duhet të ftojë Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për të folur në lidhje me ngjarjet në Arakanin verior, të cilat Komisioneri i Lartë i OKB-së për refugjatët i ka quajtur ‘shembull i spastrimit etnik si në tekstet shkollore’. Përveç kësaj Këshilli duhet të diskutoj masat që duhen marrë, ashtu që përgjegjësit e këtyre ngjarjeve të dalin para drejtësisë, përfshirë edhe gjykatën Ndërkombëtare penale”, thuhet në deklaratë.
HRW i dërgoi një thirrje qeverisë amerikane dhe kërkoi që kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Mianmarit Min Aung Hlaing të vendoset në “listën e personave të sanksionuar”, që Hlaing t’i pamundësohet qasja në institucionet financiare në SHBA, ti kufizohet udhëtimi në atë vend dhe të ngrihen pasuritë e tij në SHBA.
Gjithashtu u kërkua që Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet Anëtare të vendosnin sanksione të ngjashme ekonomike dhe të tjera ndaj qeverisë së Mianmarit dhe zyrtarëve të saj. Po ashtu u kërkua që BE të zgjerojë embargon e saj aktuale kundër Mianmarit, duke përfshirë të gjitha format e ndihmës ushtarake.
“Masa të ngjashme duhet të ndërmarrin edhe Japonia, Norvegjia, Korea e Jugut, Kanadaja dhe Australia”, thuhet në deklaratë.
Në kumtesë është dhënë edhe deklarata e John Sifton, kreut të Human Rights Watch të Azisë.
Sifton ka thënë se forcat e sigurisë të Mianmarit po kryejnë spastrime etnike kundër muslimanëve Rohingya.
“Ka ardhur koha që të merren masa të ashpra të cilat gjeneralët e Mianmarit nuk do të mund t’i injorojnë”, ka thënë Sifton.
Në sulmet ndaj civilëve të Arakanit, të kryera nga ushtria e Mianmarit nën pretekstin e luftës kundër militantëve të armatosur, nga 25 gushti mijëra muslimanë kanë vdekur. Për shkak se nuk lejohet hyrja dhe dalja nga zona, është e pamundur të përcaktohet numri i saktë i viktimave.
Ushtria dhe nacionalistët budistë në sulmet kanë djegur ose shkatërruar plotësisht rreth 200 fshatra. Dhjetëra mijëra muslimanë nga Arakani (Rohingya) vazhdojnë të përpiqen që përmes lumit Naf dhe zonës malore të ikin në Bangladeshin fqinj.
Rreth 400,000 muslimanë nga Arakani kanë ikur në Bangladesh që nga 25 gushti. UNICEF ka thënë se mbi 200,000 fëmijë janë në mesin e refugjatëve nga Mianmari, të cilët janë vendosur në Bangladesh.