Një ekip i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) të shtunën vizitoi rajonin e Dumës në Siri për të hetuar sulmin e dyshuar kimik nga regjimi i Bashar al-Asadit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë, OPCW tha se një mision për gjetjen e fakteve vizitoi një nga vendet në Duma “për të mbledhur mostra për analizë në lidhje me akuzat për përdorimin e armëve kimike më 7 prill të vitit 2018”.
Mostrat e mbledhura do të analizohen në laboratorët e OPCW-së, ndërsa do të pasohen nga një raport i bazuar në rezultatet dhe informacione dhe materiale të tjera të mbledhura nga ekipi.
Ai do t’i dorëzohet shteteve palë në Konventën e Armëve Kimike për shqyrtim.
Mbikëqyrësi ndërkombëtar i armëve kimike tha po ashtu se një vizitë e dytë në Duma është e mundur.
Forcat e regjimit të Asadit goditën disa objektiva në Duma të rajonit të rrethuar të Gutës Lindore më 7 prill të këtij muaji, ndërsa thuhet se gjatë sulmit është përdorur gaz helmues që la të paktën 78 civilë të vdekur.