Organizata britanike e ndihmës bën thirrje për lirimin e mjekut Abu Safiya të ndaluar nga Izraeli

Organizata joqeveritare Ndihma Mjekësore për Palestinezët (MAP) me seli në Britani ka kërkuar lirimin e mjekut palestinez Hussam Abu Safiya, drejtor i spitalit “Kamal Adwan” në veri të Rripit të Gazës, si dhe të punonjësve të tjerë shëndetësorë të ndaluar nga ushtria izraelite, transmeton Anadolu.

Organizata MAP tha se për shkak të sulmeve sistematike të Izraelit, infrastruktura shëndetësore e Gazës ka ardhur në pikën e kolapsit, duke e bërë të pamundur mbijetesën e palestinezëve.

Në deklaratën e organizatës kujtohet se mjeku Abu Safiya u arrestua në bastisjen e kryer nga ushtria izraelite në spitalin “Kamal Adwan” më 27 dhjetor të vitit 2024 dhe se spitali u bë i papërdorshëm si rezultat i sulmeve dhe rreth 350 njerëz, përfshirë pacientë, u larguan me forcë nga objektet e tij.

“Ndërsa ndalimi i paligjshëm i Dr. Abu Safiyas hyn në javën e dytë, pa asnjë lajm për vendndodhjen apo shëndetin e tij, qeveria britanike duhet të ndërmarrë veprime urgjente për të mbrojtur punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe pacientët dhe të sigurojë lirimin e menjëhershëm të të gjithë personelit të kujdesit shëndetësor të ndaluar arbitrarisht”, thuhet në deklaratë.

– “Seriozisht të shqetësuar për jetën e Abu Safiyas dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë”

Sipas deklaratës, drejtori i MAP-së për Gazën, Fikr Shalltoot, ka thënë se janë “seriozisht të shqetësuar” për jetën e mjekut Abu Safiya dhe punonjësve të tjerë të kujdesit shëndetësor.

“Sulmet sistematike të Izraelit ndaj spitaleve në Gazën veriore kanë lënë dhjetëra mijëra njerëz pa qasje në kujdesin shëndetësor dhe i kanë detyruar ata të migrojnë në jug”, është shprehur Shalltoot.

Më 27 dhjetor të vitit 2024, ushtria izraelite rrethoi spitalin “Kamal Adwan”, duke larguar me forcë personelin mjekësor dhe të plagosurit dhe duke i vënë flakën disa pjesëve të spitalit pas bastisjes.

Qeveria palestineze në Gaza ka njoftuar se drejtori i spitalit, Abu Safiya, si dhe stafi mjekësor u arrestuan nga Izraeli, duke kërkuar informacion për fatin e tyre.