Kryeministri hungarez, Viktor Orban ka ofruar hapjen e korridoreve në Perëndim për refugjatët dhe migrantët përmes vendit të tij, vetëm nëse Perëndimi i kërkon.
“Nëse keni nevojë për migrantë, merrini”, theksoi Orban në një intervistë në radio.
Ai gjithashtu pretendoi se besonte se variantet e ndryshme të koronavirusit ishin futur nga migrantët, por nuk dha asnjë provë për këtë.
Nacionalisti i djathtë Orban, i cili ka qeverisur Hungarinë që nga viti 2010, e ka bërë praktikisht të pamundur për këdo që të aplikojë për azil në vendin e tij, i cili është anëtar i Bashkimit Evropian.
Në vitin 2015 ai kishte ngritur një barrierë mbrojtëse në kufirin me Serbinë fqinje.
Refugjatët dhe migrantët e arrestuar në Hungari janë kthyer në Serbi nga autoritetet pa procedura.
Aktivistët e të drejtave të njeriut dhe agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR, e përshkruajnë praktikën si të paligjshme.
Sipas BE-së, politika e azilit e Hungarisë shkel ligjin evropian dhe ndërkombëtar.
Ndaj vendit të Europës Qendrore janë nisur procedura të ndryshme. /atsh