Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Orban dhe Netanyahu në Hungari shënjestruan Gjykatën Ndërkombëtare Penale

Orban dhe Netanyahu në Hungari shënjestruan Gjykatën Ndërkombëtare Penale

Në takimin në kryeqytetin hungarez Budapest, kryeministri Viktor Orban dhe homologu i tij izraelit Benjamin Netanyahu shënjestruan Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJNP), transmeton Anadolu.

Pavarësisht urdhër-arrestit të GJNP-së, Netanyahu zhvilloi një vizitë zyrtare në Hungari dhe u takua me homologun e tij hungarez Orban.

Duke folur në një konferencë për media pas takimit, Orban tha se ai nënshkroi vendimin për t’u anëtarësuar në GJNP në vitet e tij të para si kryeministër dhe se sot nënshkroi të njëjtin vendim për t’u larguar.

– Akuza se “GJNP-ja është kthyer në gjykatë politike”

Orban pretendoi se “GJNP-ja është kthyer në një gjykatë politike dhe një instrument politik dhe se vendimi kundër Izraelit është treguesi më i qartë i kësaj”.

Pasi tha se është i kënaqur me investimet që Izraeli ka bërë në Hungari dhe se shpreson që bashkëpunimi mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e industrisë së mbrojtjes, të vazhdojë, Orban shpjegoi se Hungaria është vendi i tretë me popullsinë më të madhe hebreje në Evropë dhe se komuniteti hebre ndihet më i sigurti këtu.

“Flamuri i Hamasit nuk është valëvitur kurrë në Hungari dhe kjo do të vazhdojë të jetë e tillë”, shtoi Orban.

Kryeministri izraelit Netanyahu e përshkroi Orbanin si mik ndërsa pretendoi se Hungaria është një nga vendet e pakta në Evropë që e kupton vendin e tij.

– Netanyahu e quan GJNP-në “të kalbur”

Duke prekur edhe vendimin e Hungarisë për t’u larguar nga GJNP-ja, Netanyahu pretendoi se GJNP-ja është një “strukturë e kalbur” dhe se qeveria e Budapestit kishte bërë një hap të rëndësishëm kundër antisemitizmit me këtë vendim.

“Hungaria e ka mbrojtur me guxim Izraelin si në Bashkimin Evropian (BE) ashtu edhe në Kombet e Bashkuara (OKB)”, tha Netanyahu i cili vazhdoi të pretendojë se judaizmi nuk mund të ekzistonte pa Izraelin dhe se për këtë arsye retorika kundër vendit të tij është antisemitizëm.

Hungaria u bë shteti i parë anëtar i BE-së që u largua nga GJNP-ja, duke vendosur të largohej nga GJNP-ja në ditën e parë të vizitës së Netanyahut.

– Kryeministri izraelit zotohet se do të mbrojë Evropën nga “aksi iranian i të keqes”

Më tej, kryeministri izraelit u zotua se do të mbrojë Evropën dhe aleatët e saj në Lindjen e Mesme nga ajo që ai e quajti “boshti iranian i të keqes”.

“Ne do të shkatërrojmë aksin iranian të së keqes që kërcënon Izraelin, Evropën dhe partnerët tanë në Lindjen e MEsme”, tha Netanyahu në konferencën për media me kryeministrin hungarez.

“Ne jemi të përkushtuar për të shkatërruar aksin irainan dhe të mbrojmë Izraelin dhe Evropën prej tij”, shtoi ai.

– Vendet palë në GJNP janë të detyruara ta arrestojnë

Në vendimin e saj të shpallur më 21 nëntor 2024, GJNP-ja njoftoi se ka lëshuar urdhër arresti për kryeministrin izraelit Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant “për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera në Gaza”.

Zbatimi i urdhër-arresteve të lëshuara nga GJNP-ja është detyrim i shteteve palë në përputhje me nenet 86 dhe 87 të Statutit të Romës i cili është traktati themelues i gjykatës.

Sipas nenit 89 të statutit, nëse Netanyahu dhe Gallant udhëtojnë në ndonjë vend palë në GJNP, autoritetet e atij vendi duhet t’i arrestojnë ato dhe t’ia dorëzojnë gjykatës në Hagë.

Orban i cili ka kundërshtuar vendimin e GJNP-së, në nëntor 2024 e ftoi Netanyahun të vizitojë vendin e tij duke i dhënë garanci.

Exit mobile version