Ka përfunduar gjysma e kampionatit italian Serie A dhe Milani është shpallur kampion dimri.
Kuqezinjtë kryesojnë me 43 pikë, dy më tepër se Interi.
Algoritmi i faqes për statistika “Opta” nuk u jep shumë shpresa për titull kuqezinjve.
Kompania britanike që monitoron të dhënat në sport ka ndërtuar një algoritëm, që merr për bazë rezultatet e skuadrave dhe cilësitë ofensive e difensive të tyre, dhe përllogarit se cili ekip ka më shumë shanse të shkojë te titulli kampion në fund të sezonit.
Këtë herë shanset më të mëdha për të fituar titullin kampion në Itali, i ka Interi me plot 35.8 për qind të mundësive.
Pas tyre renditen Juventusi, që kanë 23.1 për qind shanse për të fituar titullin e 10 radhazi.
Ndërkohë sipas algoritmit të Opta, Milani ka vetëm 21.3% mundësi që të ruajë vendin e parë të renditjes deri në javën e fundit të kampionatit.
Sa i përket rënies në Serie B, algoritmi u jep më shumë mundësi skuadrave si Crotone, Parma dhe Cagliari. /Telegrafi/