Opozitarët: Ushtria e Asadit nuk e zbaton armëpushimin

Opozitarët sirianë kanë paralajmëruar se ushtria e Asadit dhe grupet e huaja terroriste mbështetëse të regjimit nuk po e zbatojnë armëpushimin.

Opozitarët e armatosur të cilët janë palë e armëpushimit i cili hyri në fuqi mesnatën e djeshme në Siri kanë paralajmëruar se ushtria e Bashar al-Asadit dhe grupet e huaja terroriste mbështetëse të regjimit nuk po e zbatojnë armëpushimin. Opozitarët i kanë bërë thirrje Rusisë e cila është garantuesja e forcave të regjimit që të kalojë në veprim, raporton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e përbashkët të grupeve opozitare palë të armëpushumit rikujtohet se në marrëveshjen e armëpushimit të arritur me garanci të Turqisë dhe Rusisë është vendosur dispozita se asnjë pjesë e territorit nuk do të mbetet jashtë marrëveshjes.

Gjithashtu në deklaratë thuhet se pritej që i njëjti tekst të nënshkruhej edhe nga regjimi i Asadit, për të cilin mësohet se ka nënshkruar një marrëveshje të ndryshme.

Në deklaratë rikujtohet se qeveria e Damaskut dhe grupet mbështetëse të regjimit pavarësisht armëpushimit kanë vazhduar të bombardojnë me bomba fuçi dhe armë të rënda Luginën Barada dhe rajonet e tjera.

“Opozitarët i janë përmbajtur kushteve të marrëveshjes pas nënshkrimit të saj, por regjimi dhe Hezbollahu nuk i është përmbajtur asnjërit prej kushteve dhe kanë vazhduar sulmet. Në rast se regjimi vazhdon sulmet kjo tregon se marrëveshja ka marrë fund. I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që ti shohë masakrat që regjimi i ka kryer në Luginën Barada dhe i bëjmë thirrje Rusisë e cila është garantuese e regjimit që të zbatojë përgjegjësitë e saj”, thuhet në deklaratë.

Më tej deklarata vazhdon se: “Çdo përjashtim konsiderohet si shkelje. Ne do ti përmbahemi armëpushimit gjithëpërfshirës i cili nuk përjashton asnjë pjesë të territorit të Sirisë dhe asnjë grup opozitar. Ne jemi përgjegjës vetëm për atë që kemi nënshkruar. Jasht kësaj nuk do të zbatojmë asnjë marrëveshje”.

Duke shprehur falënderimet për qeverinë turke për mbështetjen e dhënë ndaj tyre dhe popullit të Sirisë opozitarët kanë theksuar: “Kërkojmë nga Kombet e Bashkuara që të nxitojnë me marrjen e vendimeve në lidhje me armëpushimin derisa Rusia të mbajë premtimin e dhënë si garantuese se regjimi do të ndalë sulmet dhe do të zbatojë armëpushimin”.

Sipas informacioneve të gazetarit të AA-së në rajonin e Guta-s Lindore të Damaskut mësohet se regjimi po sulmon ashpër pikat nën kontrollin e opozitarëve.

Thirrje nga civilët në Luginën Barada

Edhe Këshilli lokal, Komiteti i shëndetësisë, Mbrojtja civile dhe shoqatat humanitare në Luginën Barada në pjesën periferike në perëndim të Damaskut kanë publikuar një deklaratë të përbashkët në lidhje me shkeljet.

Në deklaratë thuhet se “regjimi dhe milicët e Hezbollahut që nga hyrja në fuqi e armëpushimit e deri më tani në rajon kanë hedhur 35 bomba fuçi, kanë kryer 10 sulme ajrore dhe kanë ndërmarrë sulme tokësore nga shumë pika”.

“Në rajon kategorikisht nuk ndodhet Fronti Fethit i Damaskut. Të gjithë luftëtarët përbëhen nga fëmijët e rajonit”, thuhet në deklaratë.

Lugina Barada ndodhet nën rrethimin e grupeve terroriste mbështetës të regjimit. Pjesa e banuar në rajon ku ndodhen afërsisht 100 mijë sirianë, përfshirë edhe personat e larguar nga konfliktet në rajone të tjera është afërsisht 12 kilometra katrorë.

Opozitarët kanë nën kontroll 10 fshatra në luginën e cila është e rrethuar me male të larta dhe ku ndodhet burimi Ayn el-Fica një prej burimeve kryesore të ujit të kryeqytetit.

Hezbollahu dhe ushtria e regjimit për të marrë nën kontroll burimet e ujit që nga fundi i muajit korrik po e mbajnë nën rrethim rajonin në Luginën Barada.