Ballina Lajmet Kosovë Opozita vazhdon mos ta njohë Thaçin president, bojkoton fjalimin e nesërm të...

Opozita vazhdon mos ta njohë Thaçin president, bojkoton fjalimin e nesërm të tij

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi gjatë seancës së nesërme do tu drejtohet deputetëve në fjalimin e fundvitit.

Mirëpo këtë siç duket do ta bëjë vetëm para deputetëve të mazhorancës, pasi që deputetët e opozitës nuk do të marrin pjesë.

Këtë e kanë konfirmuar për Telegrafin zyrtarë të tri partive opozitare.

Shkodran Hoti nga zyra për media e Lëvizjes Vetëvendosje ka bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë.

“Nuk do të marrim pjesë në seancën e nesërme”, ka thënë Hoti.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj ka bërë të ditur se nuk do të jenë pjesë e seancës së nesërme për të dëgjuar fjalimin e presidentit Hashim Thaçi.

“Ne si grup parlamentar i AAK-së nuk marrim pjesë në seancën e nesërme ku ka fjalim z.Thaçi”, ka thënë Lekaj për Telegrafin.

Edhe sekretari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi ka bërë të ditur se deputetët e Nismës nuk do të jenë nesër në Kuvend në kohën kur do të flasë Hashim Thaçi.

“Jo nuk do të marrim pjesë, sepse ky president nuk është unifikues i popullit dhe ne nuk kemi se çfarë të dëgjojmë fjalimin e tij”, ka thënë Sherifi.

Adresimi i Presidentit të vendit para deputetëve është obligim kushtetues, në të cilin i pari i vendit raporton për punën një vjeçare të tij.

Seanca e veçantë ku presidenti Thaçi do të mbajë fjalimin e fundvitit para deputetëve, do të fillojë në orën 11:00.

Exit mobile version