Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancën plenare ku pikë e rendit të ditës do të jetë edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Trepçën.
Ky Projektligj ditë më parë u procedua nga qeveria pavarësisht reagimeve të ministrave serbë.
Projektligji për gjigantin metalurgjik “Trepçën”, është paraparë të kalojë dy leximet në Kuvendin e Kosovës, me një procedurë të përshpejtuar, brenda pak ditësh.
Ndërkaq opozita e cilësoi këtë projektligj si “të mangët” sepse sipas tyre kanë lënë jashtë Kuvendin në procesin e hartimit të këtij projektligji.
Por, pavarësisht kritikave të tri partitë opozitare kanë thënë se do të marrin pjesë në seancën e sotme të Kuvendit.
Shkodran Hoti nga zyra për media e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë për Telegrafin se deputetët e Vetëvendosjes do të jenë në seancën e sotme të Kuvendit.
Ngjashëm do të veprojnë edhe deputetët e Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës. Kështu të paktën ka thënë për Telegrafin shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj.
“Po do të marrim pjesë në seancë”, ka thënë shkurt Lekaj.
Edhe deputetët e partisë së tretë opozitare, Nisma për Kosovën do të jenë në seancën e sotme. Këtë e ka konfirmuar sekretari organizativ i këtij subjekti Bilall Sherifi.
“Po, Nisma gjithsesi do të merr pjesë në seancën e sotme”, ka thënë ai.
Projektligji për “Trepçën” ngjalli protesta në veriun e Kosovës, të minatorëve të komunitetit serb, që thanë se do të vazhdojnë të kërkojnë ndalimin e shqyrtimit të këtij ligji në Kuvend, me të cilin, siç thonë, “rrezikohet ekzistenca e tyre në Kosovë”.
Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës do të nis në orën 15:00 ku përveç shqyrtimit të Projektligjit për Trepçën në rend dite ka edhe 12 pika të tjera.
R e n d i i d i t ë s
Koha për deklarime jashtë rendit të ditës,
Koha për pyetje parlamentare,
Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Trepçën,
Votimi për emërimin e një anëtari në Komisionin për Kërkesa Pronësore,
Votimi i Projektligjit për investimet strategjike në Republikën e Kosovës,
Votimi i Propozim-Rezolutës lidhur me Kodin telefonik shtetëror të Republikës së Kosovës,
Votimi i Propozim-Rezolutës lidhur me situatën aktuale politike në pjesën veriore të Republikës së Kosovës,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 05/L-117 për Akreditim,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 05/L-047 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-065 për të drejtat e Autorit dhe të drejtat e përafërta,
Zgjedhja e një (1) anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës,
Shqyrtimi i Raportit mbi gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës për vitin 2015,
Shqyrtimi i Raportit të Agjencisë së statistikave të Kosovës për vitin 2015.