Për dallim nga legjislatura e kaluar kur koalicioni qeverisës kishte dy të tretat e deputetëve në Kuvend, në këtë mandat opozita është shumë më e fuqishme.
Kështu, opozita (Vetëvendosje dhe LDK) në disa komisione parlamentare pritet të jetë shumicë.
Valmir Ismaili nga “Demokraci Plus” ka thënë për lajmi.net se një situatë e tillë mund ta komplikojë punën për koalicionin qeverisës dhe se mund të ketë zvarritje të projektligjeve.
“Një situatë e tillë do ta komplikojë shumë punën e koalicionit qeverisës pasi që do të jetë e vështirë për të që cilindo ligj ta kaloj pa votën e opozitës. Ajo çfarë do të ndodhë është që do të kemi një zvarritje të projektligjeve dhe ndërprerje të shpeshta të mbledhje te komisioneve dhe kjo në shumë raste do të bëhet qëllimshëm si nga opozita po ashtu edhe nga pozita”, ka vlerësuar Ismaili.
Më tej, ai ka thënë se kjo situatë ka edhe anën pozitive, pasi sipas tij duhet të arrihet konsensus ndemjet pushtetit dhe opozitës dhe se nuk mund të hidhen poshtë vërejtjet e opozitës siç kanë ndodhur në të kaluarën.
“Megjithatë, kjo mund të lexohet edhe si diçka pozitive pasi që për të kaluar një projektligj duhet të arrihet një konsensus më i gjerë si i pozitës po ashtu edhe i opozitës. Ana tjetër pozitive e kësaj strukture do të jetë fakti që do të ketë më shumë debat, dhe rekomandimet e opozitës nuk mund të hidhen poshtë siç ka ndodhë më herët edhe në rastet kur ato kanë qenë të arsyeshme”, ka shtuar Ismaili.