Paralajmërimet e kryeministrit Isa Mustafa për reformatim të qeverisë , për spektrin politik opozitar më shumë shihen si joshje për deputetët kundërshtues të demarkacionit.
Para një muaji, kryeministri Isa Mustafa ka paralajmëruar reformatim të qeverisë. Por ka thënë se kjo do të bëhet pas ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, çështje kjo që nuk dihet kur do të ri-procedohet në kuvend. Opozita dhe analistët e shohin paralajmërimin për reformatim të qeverisë, më tepër si joshje për deputetët kundërshtues të demarkacionit.
“Posa ta përfundojmë çështjen e demarkacionit, do t’i qasemi seriozisht dhe do ta bëjmë një reformatim të qeverisë, i cili nuk do të nënkuptojë vetëm reformatim teknik të qeverisë”.
Këtë paralajmërim kryeministri Isa Mustafa e ka bërë gjatë muajit gusht. Por, reformatimi i qeverisë, duket se do të pres edhe gjatë, pasi që kryeministri këtë e lidh me ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi. Kjo marrëveshje ishte tërhequr nga vetë kryeministri në seancën e 1 shtatorit, ndërsa ende nuk dihet se kur do të ri-procedohet në kuvend, ndonëse zyrtarët e qeverisë kanë thënë se nuk do ta zvarrisin shumë ri-procedimin.
Duke konsideruar se vendi është në krizë, sikurse edhe koalicioni qeverisës PDK-LDK, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, nuk beson se do të ketë reformatim të kësaj qeverie. Këtë e ndërlidh me dy marrëveshjet që po kundërshtohen nga opozita, sikur ajo për demarkacionin me Malin e Zi dhe Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
“Pa u definuar këto marrëveshje, nuk mendoj se do të kemi ndonjë ndryshim në qeveri, apo mund të jetë thjesht për t’i joshur disa deputetë që po u bëjnë presion për ta ratifikuar këtë marrëveshje”, tha Lekaj për Radio Kosovën.
Edhe analisti politik Imer Mushkolaj, e sheh paralajmërimin për reformatim të qeverisë, si joshje për deputetët kundërshtarë të demarkacionit.
“Ky fakt na tregon vërtet se këtu nuk bëhet fjalë për paralajmërim serioz të reformatimit të qeverisë, për shkak se qeveria do duhej të formatizohej bazuar në performancën e anëtarëve të kabinetit qeveritar, e jo si joshje, respektivisht si kusht për të dhënë votën dikush pavarësisht se deri në momentin e caktuar ka menduar ndryshe”, tha Mushkolaj.
Kryeministri Isa Mustafa para një muaji ka paralajmëruar se reformatimi i qeverisë do të nënkuptojë një reformatim përveç substancial, edhe të kostos. Përkundër kësaj, ende nuk është emëruar ministri i ri në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e cila që nga qershori udhëhiqet nga zëvendësministri, pasi Ferid Agani ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit, për shkak të akuzave të ngritura ndaj tij. Ndërkaq, nga e premtja e kaluar edhe Ministria e Integrimit Evropian është pa ministër, pasi Bekim Çollaku është larguar nga kreu i saj, për të shkuar në Presidencë.