Opozita proteston kundër Qeverisë Rama

Opozita nis mesditën e sotme protestën e paralajmëruar më herët, kundër qeverisë Rama dhe kapjes së saj nga krimi. Policia thotë se ora 16:00 është njoftuar si afati final i saj, ndërsa në gatishmëri do të jenë rreth 1500 forca.

Një dron i fuqishëm do të vëzhgojë nga ajri dhe ekspertët e vendeve partnere nga Ministria e Brendshme. Burimet thanë për Top Channel se në rrugë operative policia ka informacione për mundësi incidentesh. Kjo nuk reflektohet në njoftimin zyrtar, por aty bëhet thirrje për mbështetje ndaj policisë dhe për distancim nga individët me prirje të dhunshme.

Si zakonisht, ambasada e SHBA-së bëri thirrje që shtetasit amerikanë të kenë kujdes e të shmangin vendin ku do protestohet. Por organizatorët premtojnë protestë paqësore.

“Ne të gjithë do të jemi në këtë protestë. Unë do të jem me familjen time. Nuk do të jetë luftë! Do të jetë një protestë madhështore popullore”, tha Basha.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të mbajnë telefonat me vete, të filmojnë çdo provokator, të jenë të kujdesshëm, por edhe ne vetë do të marrim masa për të mos qenë pre e provokimeve”, deklaroi kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Basha dhe Kryemadhi i paraprinë protestës me tur mobilizues në bazë. Partia Demokratike thirrjen e shtriu dhe në rrjetet sociale me disa spote, ku ilustron akuzat për varfëri, pabarazi, korrupsion, krim në politikë dhe kapje të drejtësisë; të gjitha këto për të motivuar kërkesën finale të opozitës për një qeveri antimafia, ndaj në podiumin para Kryeministrisë nuk do të ngjiten vetëm kryetarët e partive, por edhe qytetarët.

Protestuesit nisen drejt Tiranës me targa simbolike të “narko-shtetit”

Protestuesit nga qytete të ndryshme janë nisur për në Tiranë, derisa automjetet mbajnë targën simbol të narkotrafikut shtetëror AA 003 GB.

Targa e veturës Audi e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, AA 003 GB është më e famshmja ndër bandat e krimit të organizuar.

Vetura me këtë targë ishte pronë e Saimir Tahirit dhe, njëkohësisht, përdorej nga banda e Habiljave për lehtësimin e trafikut ndërkombëtar të kanabist që më nëntor 2013, pasi Partia Socialiste erdhi në pushtet, deri në tetor 2017, kur Antimafia italiane arrestoi bandën më 2017.

Protestuesit e mbajnë targën AA 003 GB me mbishkrimet “narkoshteti” dhe “të paprekshëm” për të treguar se kanabizimi i Shqipërisë ishte projekt politik i Edi Ramës, i cili vazhdon të jetë përfituesi kryesor i trafikut ndërkombëtar të drogës dhe mbrojtësi i tyre nga drejtësia, përcjell Top Channel.

Nga përgjimet e Habiljave faktohet se Saimir Tahiri fitonte 5 milionë euro në muaj dhe rreth 20 milionë i përdori në fushatën e zgjedhjeve të 25 qershorit për të blerë pushtetin e Edi Ramës.

Përdorimi i veturës së Ministrit të Brendshëm me targën AA 003 GB nga banda e Habiljave u denoncua nga oficeri Dritan Zagani në tetor 2015.