Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shprehur sërish kundër miratimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, pasi është i dëmshëm për vendin.
Pas takimit të shtunën me shefen e diplomacisë evropiane Federica Mogherini, lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se nuk ka ndryshim të qëndrimeve dhe se nuk do ta votojnë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.
Ai tha se dallimet mes tyre dhe pushtetit ishin të mëdha pasi partitë në koalicion duan ta ratifikojnë një marrëveshje të dëmshme derisa ata si opozitë janë kundër.
“Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi është një proces të cilin gjitha forcat politike në Kosove edhe gjithë qytetarët e përkrahin, aktualisht nuk jemi duke folur për një marrëveshje që e demarkon vijën kufitare, jemi duke fol për një marrëveshje cila e cakton një kufi të ri që e cenon integritetin territorial të Kosovës”, ka thënë Ymeri.
“Kufirin do ta vendosim aty ku është, që është vendosur që nga viti 1945 dhe më një marrëveshje të tillë askush nuk ka problem”, ka shtuar ai.
“Ne subjektet opozitare vazhdimisht kemi qenë të gatshme që të arrijmë një konsensus i cili do ta vendoste procesin e vijës kufitare, aty ky nuk do të cenohet integriteti territorial as i Kosovës dhe as i Malit të Zi, por ka qene kokëfortësia, arroganca e partnereve të koalicionit të cilët më çdo kusht janë munduar që ta imponojnë këtë marrëveshje për ta shpëtuar nënshkrimin e tyre skandaloz”, potencoi Ymeri.
Edhe Ardian Gjini nga AAK-ja tha se Mogherini ua ka bërë me dije se demarkacioni është kusht për liberalizim, por nuk ka thënë se duhet të miratohet kjo marrëveshje aktuale