Ballina Lajmet Opozita në Shqipëri e akuzon Ramën për mospërkrahje të Kosovës

Opozita në Shqipëri e akuzon Ramën për mospërkrahje të Kosovës

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë , Niko Peleshi, është thirrur në Komisionin e Sigurisë së Parlamentit të këtij vendi në një seancë dëgjimore nga deputetët demokratë për të raportuar mbi qëndrimin e Shqipërisë për sigurinë kombëtare pas situatës në veri të Kosovës.

Mbledhja u zhvillua mes debateve të ashpra. Peleshi u vu në qendër të kritikave nga opozita, të cilët akuzuan qeverinë Rama se nuk ka reaguar si duhet kundrejt Serbisë.

Peleshi tha se çdo veprim që ndërmarrin lidhur me tensionet në veri të Kosovës e koordinojnë me NATO-n. Ndërkohë, ai theksoi se Shqipëria aktualisht ka 89 trupa që shërbejnë në KFOR. Sipas Peleshit, kanë shtuar prezencën në KFOR sepse vetëm kështu mund të garantohet integriteti territorial i Kosovës.

“Ne i kemi ndjekur me shqetësim lëvizjet e forcave të armatosura të Serbisë, që në tetor të vitit të kaluar, në data 6 dhe 17 kanë kryer në afërsi të kufirit të Kosovës stërvitje kombëtare. Stërvitjes i ka paraprirë një thirrje për rezervistët dhe përkoi me afatin përfundimtar për vendosjen e afatit për targat. Kosova nuk është thjesht një shtet tjetër për ne, është vend i shqiptarëve. Ata janë vëllezërit tanë. Edhe pse jemi pjesë e NATO-s, nuk qëndrojmë nga qëndrimi i tyre, sillemi si aleat i NATO-s, por ajo që bëjmë më tepër për Kosovën është që në radhë të parë është në top agjendën e të gjitha takimeve, forumeve, samiteve. Lobojmë për integrimin e saj në strukturat euroatlantike, strukturat rajonale. Ne vazhdojmë insistimin tonë, që të futet politika e hapur e NATO-s, politika që ne inkurajojmë. Kemi shtuar prezencën sepse vetëm kështu mendojmë se garantohet integriteti i Kosovës”, tha Peleshi.

Xhaferraj: Qeveria ka degraduar me çështjen e Kosovës

Opozita këmbënguli se qeveria shqiptare duhet të kishte dënuar më ashpër qëndrimet e Serbisë, sidomos deklaratën e Vuçiqit për rikthimin e ushtrisë serbe në Kosovë.

Deputeti demokrat Ferdinant Xhaferraj tha se Qeveria ka degraduar me çështjen e Kosovës.

“I keqardhur për frymën që ka implementuar Edi Rama në qeverinë shqiptare e në raport me Vuçiqin. Gjatë fjalës thatë nuk dua të marr përsipër të trajtoj çështje të sigurisë së Kosovës. Vazhduat që i shohim me vëmendje si derivate të situatës globale. Kemi kërkuar ministrin e mbrojtjes dhe të jesh i sigurt që nëse në republikën demokratike të Kongos do ftonte ministrin, po këto gjëra do thoshte. E kuptoni ku ka degraduar qeveria shqiptare me çështjen e Kosovës. Akoma nuk është dënuar nga qeveria shqiptare dhe ju sot nuk e dënuat aktin e agresionit. Kërcënon qartazi që do dërgoj 1 mijë forca në Kosovë. Si mund ta shpjegoni kundërvënien që kanë në politikën e sanksioneve të NATO-s”, tha Xhaferraj.

Salianji: Çfarë ka bërë Rama për Kosovën, përplasjet me Kurtin apo kurrizi që i ktheu Osmanit

Nga ana tjetër, deputeti demokrat Ervin Salianji i kërkoi Peleshit të tregojë se cilat janë veprimet konkrete, pasi sipas tij Rama vetëm ka bërë deklarata kundër Kurtit duke mos dënuar asnjëherë politikën e Vuçiqit.

Salianji ka shtuar se Rama nuk ka bërë asgjë tjetër por përplasjeve që ka pasur me kryeministrin Albin Kurti, që “përqafon Vuçiqin dhe i kthen kurrizin Vjosa Osmanit”.

“Është një situatë që mund të ketë përsëri tensione, situatë ku presidenti i Serbisë nëpërmjet dy pikave thotë do të vendosim në dispozicion njësi speciale për një operacion special ushtarak me të njëjta terma që përdor Putini në Rusi. Pa diskutim Shqipëria është e para që duhet të jetë e shqetësuar. Qeveria është e para që duhet të jetë e shqetësuar për Kosovën se po bëhet fjalë për agresion. Nuk mund të rrijë mënjanë Shqipëria kur SHBA-ja e dënon, kur ministrja gjermane, presidenti francez angazhohen, reagon DASH-i, Rama mund t’ia lehtësojë presionin Serbisë duke thënë mos i bëni presion për sanksionet dhe ta kalosh presionin te Kosova. Ministër duhet të tërhiqeni nga një deklaratë. Atë që thatë nuk ngremë armët. S’po kërkon njeri që të ngrini armët. Shqipëria në çdo rast nëse preken kufijtë e një vendi të NATO-s, sidomos Kosovën, Shqipëria duhet të jetë e gatshme të bëjë gjithçka se aty ka operacione që ne edhe marrim pjesë. Shqipëria duhet të jetë e gatshme në çdo moment. Ne jemi të gatshëm për armët”, ka thënë Salianji.

Noka: Mosdënimi i deklaratave të Serbisë, thikë pas shpinë për Kosovën dhe tradhti kombëtare

Edhe deputeti demokrat Flamur Noka ka debatuar me ministrin e Mbrojtjes. Noka tha se Rama nuk ka asnjë deklaratë kundër Vuçiqit, por ka shfaqur hapur “dashurinë” për presidentin serb duke i futur thikë pas shpine Kosovës, ndërkohë ka thënë se me mosdënimin e deklaratave të Vuçiqit, Rama po bën tradhti kombëtare.

“Ajo që na shqetëson është fakti se në këtë situatë përballë këtyre zhvillimeve qeveria përgjithësisht ka luajtur rolin e strucit dhe në shumë raste të tjera. Kryeministri i Shqipërisë ka bërë atë që ishte jashtë çdo perceptimi ta bëjë një kryeministër i Shqipërisë. Ka deklaruar, shfaqur hapur dashurinë për Ballkanin e hapur duke anashkaluar Kosovën, duke i futur thikë pas shpine Kosovës dhe duke shfaqur një dashuri deri në dashuri patetike për Vuçiqin dhe për qeverinë e Serbisë. Këto gjëra në kohë moderne, quhen tradhti kombëtare. Në këtë kohë, në këtë mënyrë, ndodh tradhtia kombëtare. Deklaron kryeministri i Serbisë që do dërgoj 1 mijë trupa në territor shqiptar dhe kryeministri fut kokën si struci dhe s’bën asnjë deklaratë kundër Vuçiqit”, theksoi Noka.

Noka ka deklaruar se priste më shumë të thuhej nga ministri shqiptar e jo të fliste “pa asnjë emocion sikur po fliste për Pakistanin”.

“Duke qenë se është e gjitha rilindje, rilindja ka vëlla serbin dhe komshi kosovarin. Ky është realiteti”, tha deputeti Noka.

Ndërsa, Peleshi në përgjigje të akuzave të opozitës tha se qeveria Rama është e vetmja që ka bërë më shumë se asnjëherë më parë për Kosovën.

“Të gjitha janë trillime. S’ka qeveri tjetër që ka kontribuuar më shumë në çështjen e Kosovës. Asnjë kryeministër në historinë e Shqipërisë s’ka bërë më shumë për Kosovën se Rama, jo me fjalë por me vepra, por edhe me fjalë kur ka qenë e nevojshme. Nëse jemi pro dialogut, nëse mendojmë që përmes dialogut të drejtuar nga BE-ja, mund të arrihet ajo që presin gjithë shqiptarët, kjo nuk do të thotë se duhet të akuzohemi për anemi në politikën e jashtme. Kur është dashur të forcohen tonet, Rama e ka ngritur zërin në mes të Beogradit”, tha ai.

Exit mobile version