Opozita kosovare mbetet e ndarë në shumë qëndrime, por sa i përket ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, vazhdojnë ta kundërshtojnë edhe më tej.
Ata kundërshtojnë edhe paralajmërimin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, i cili deklaroi se bashkë me kreun e PDK-së, Kadri Veselin në fillim të tetorit do të ftojnë opozitën për një takim në lidhje me Demarkacionit.
Vetëvendosje e quan të panevojshme këtë ftesë. Frashër Krasniqi nga ky subjekt tha për lajmi.net se edhe më herët kanë deklaruar se këto përpjekje janë të panevojshme.
Ai thotë se Vetëvendosje nuk ka ndryshuar qëndrim për këtë çështje.
“Konsiderojmë se demarkacioni është punë e kryer dhe kthimi i tij në pikën zero është zgjidhja. S’ka konsensus e kurrfarë luhatje qëndrimi në këtë”, tha Krasniqi për lajmi.net.
Nga ana tjetër, edhe kryetari i degës së AAK-së në Prishtinë, Avni Arifi thotë se nëse kryeministri, Isa Mustafa dhe kreu i Kuvendit, Kadri Veseli bëjnë ftesë për takim me qëllim që të fillohet një proces i ri i demarkacionit, ky do të ishte një veprim i duhur për një zgjidhje permanente dhe të qëndrueshme.
Arifi për lajmi.net thotë se edhe ashtu është humb shumë kohë si rezultat i barrikadimit qeveritar rreth versionit, për siç e quan ai, të dëmshëm Meha.
Madje, AAK vlerëson se Demarkacioni është tërhequr nga Kuvendi më 1 shtator ngase, pozita nuk i ka votat për ta kaluar.
“Por nëse ftesa e tyre ka të bëjë me ndonjë përpjekje të tyre që në mënyrë dinake të procedojnë versionin ekzistues atëherë përgjigja e AAK dihet. Versioni Meha është i vdekur që nga momentin ku në mungesë të votave të deputetëve është tërhequr nga kuvendi nga vet Kryeministri Mustafa”, thotë ai.
Lidhur me këtë paralajmërim të kryeministrit Mustafa, NISMA për Kosovën ende nuk ka marr vendim nëse do t’i përgjigjet pozitivisht asaj.
Sekretari i kësaj të fundit, Bilall Sherifi thotë se varet nga përmbajtja e ftesës nëse ata do të shkojnë ose jo.
“Ende gjithçka është në nivel të paralajmërimit se do ta ftojnë opozitën në takim. Pra, ende ftesë nuk kemi. Përgjigja ndaj ftesës do të varet nga përmbajtja e ftesës për takim”, thotë Sherifi.
I pyetur a kanë ndonjë kusht për pjesëmarrje në këtë takim, e ripërsëriti se varet nga përmbajtja e ftesës.