Opozita kritikon qasjen e Qeverisë në dialog me Serbinë

Partitë opozitare në vend kanë kritikuar Qeverinë për qasjen e saj në dialog, duke nisur edhe nga takimi i fundit i kryenegociatorëve nga Kosova, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq i Serbisë. Sipas , Ariana Musliu-Shoshi nga PDK, nuk do të ketë asnjë rezultat pozitiv në dialog sidomos sic thotë ajo para zgjedhjeve në Kosovë. Nga LDK-ja, Rrezarta Krasniqi thotë se këto takime po bëhen për të larguar vëmendjen nga sic tha, dështimet në menaxhim me shtetin. Qeveria e Kosovës një ditë më parë tha se në takim me kryenegociatorin e Serbisë është kërkuar zbatimi i marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit të saj.

Edhe një takim i kryenogociatorëve doli pa një rezultat pozitiv.

Këto takimet midis zëvendës-kryeministrit, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq, po kritikohen nga opozita.

Ariana Musliu- Shoshi thotë për Tëvë1 se nuk pret asgjë të re në dialog me Serbinë nga Qeveria, sidomos që tashmë jemi afër zgjedhjeve Parlamentare që do mbahen më 9 shkurt 2025.

“Nuk pres ndonjë rezultat pozitiv, kjo për faktin që ne sot jemi shteti i izoluar në Ballkan dhe kemi Serbinë kemi Serbinë dhe vendet e tjera që po ecin me hapa të shpejt përpara. Ndërsa ne jemi shteti i vetëm që kemi mbetur të izoluar dhe jemi shteti i vetëm që nuk merr asnjë fond asnjë përfitim që vet i kemi votuar në Kuvend sic është IPA por edhe marrëveshjet e tjera me këtë qeveri nuk kemi asnjë përparim, kemi ngecje në të gjitha proceset”, ka thënë Musliu-Shoshi.

Nga LDK-ja, Rrezarta Krasniqi, takimet në Bruksel po i cilëson si mbulim të dështimit të Qeverisë në qeverisje.

“Asgjë nuk ka ndodhur, aspak nuk ka pas transparencë. Këto janë duke u bërë para fushatës, sa për të larguar fokusin nga të gjitha dështimet që i kanë në të gjitha dikasteret. Tash po merren me dialog por përsëri kjo është dështim sepse tash katër vite kemi vetëm regres sa i përket dialogut dhe politikës së jashtme. Sepse për herë të parë Kosova ka sanksione nga BE-ja.”, deklaroi Krasniqi.

Por, sipas deputetes së PDK-së, Musliu-Shoshi, kryeministri i vendit, Albin Kurti e ka pranuar draftin e Asociacionit.

“Në draftin e Asociacionit e kemi, është është draft që z.Kurti e ka pranuar kritikat nga opozita kanë qenë mjaftë evidente dhe të bazuara. Dhe, ky është rezultati i tyre, nuk kanë aftësi për negocim, as nuk kanë aftësi se si të ecin përpara me shtetin tonë”, tha Musliu-Shoshi.

Në takimin e të enjten në Bruksel, Zyra e Kryeministrit ka dhënë detaje të takimit ku kanë ripërsëritur kërkesat ndaj palës serbe dhe Emisarit të Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajcak.

“Ai nënvizoi dhe nevojën për nënshkrimin e marrëveshjeve, si garanci për zbatim të saj, pasur parasysh refuzimin e vazhdueshëm të marrëveshjes nga Serbia dhe vijat e saj të kuqe që shkelin frymën dhe nenet e marrëveshjes, nevojën për tërheqjen e letrës së deponuar nga Serbia përmes ish-kryeministres Brnabiq dhe dorëzimin e kryekriminelit dhe terroristit Millan Radoiçiq nga ana e Serbisë, si kryesi i aktit terrorist të Banjskës.”, thuhet nga Zyra e Kryeminisrit.

Bashkësia Ndërkombëtarë vazhdimisht u ka bërë thirrje palëve për zbatim të Marrëveshjeve të arritura deri më tani, drejtë normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve duke shmangur mundësinë e përshkallëzimit të situatës në katër komunat veriore.