Ballina Lajmet Kosovë Opozita kërkon shkarkimin e qeverisë, paralajmërojnë protesta

Opozita kërkon shkarkimin e qeverisë, paralajmërojnë protesta

Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë mbajtur një takim të iniciuar nga AAK-ja lidhur me mosrespektimin e rezolutës për rrënimin e murit në veri.

Pas përfundimit të këtij takimi ku prezent ishin shefat e Grupeve Parlamentare të tria partive opozitare, Glauk Konjufca i Vetëvendosjes, Pal Lekaj i AAK-së dhe Haxhi Shala i Nismës për Kosovën, ka folur Pal Lekaj, i cili theksoi se qeveria po e shpërfill Kuvendin me mos zbatimin e kësaj rezolute.

“Sot mbajtëm një takim për të diskutuar mos zbatueshmërinë e rezolutës e nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës. Pas diskutimit që kishim u dakorduam për këtë deklaratë. Më datë 29 dhjetor 2016 Kuvendi miratoi rezolutën që obligon qeverinë për ta rrëzuar murin e ndërtuar nga Serbia prapa urës së Ibrit . Sot është data 1 shkurt dhe qeveria ka dështuar në zbatimin e kësaj rezolute e cila është votuar edhe nga deputetët e mazhorancës. Shpërfillja në këtë mënyrë të Kuvendit, tregon përcaktimin e kësaj qeverie për shkeljen konstante të demokracisë”, ka thënë Lekaj, transmeton Telegrafi.

Ai ka theksuar se kjo qeveri pa asnjë koncept, pa kurrfarë kushtesh vazhdon dialogun dhe nënshtrimin karshi Serbisë.

“Zgjedhja më e mirë është që kjo qeveri të dorëhiqet dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Kjo qeveri duhet të japë dorëheqje pasi kjo është cenim i Kushtetutës së vendit, nuk ka kuptim që kjo qeveri të vazhdojë më tutje”, tha Lekaj.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka thënë se opozita vazhdon të jetë e bashkuar sa i përket temave nacionale.

Ai ka theksuar se në rast se është nevoja do të organizojnë edhe protesta edhe demonstrata varësisht nga rrethanat.

Exit mobile version