Opozita parlamentare e Shqipërisë, e kryesuar nga Partia Demokratike (PD) ka mbajtur sot një protestë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë kundër Qeverisë së Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Mbështetësit e opozitës të ardhur pothuajse nga të gjithë qytetet e vendit janë mbledhur për të protestuar përpara selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë.
Gjatë protestës ka mbajtur një fjalim kryetari i opozitës dhe njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, i cili kërkoi në emër të opozitës siç u shpreh ai “largimin e qeverisë.”
“Me këtë protestë, me këtë demostrim madhështor, opozita dhe qytetarët shpallin dhe vendosin një raport të ri, një raport të vërtetë. Shqipëria prej sot ka një raport të ri të forcave politike, por mbi të gjitha një raport të ri mes qytetarëve të lirë dhe pushtetit. Sot mbaron pushteti që nuk i përgjigjet qytetarëve dhe vullnetit të tyre. Në emër të opozitës kërkoj largimin e qeverisë. Ne duam drejtësi të barabartë për të gjithë, ne duam një qeveri të dalë nga vota e lirë, duam një shoqëri evropiane dhe një Shqipëri në Evropë. Ne e duam drejtësinë dhe lirinë që ka Evropa”, u shpreh Basha.
Më tej gjatë fjalës së tij, Basha deklaroi se me protestën e sotme qytetarët shqiptarë vendosin një raport të ri me pushtetin. Në protestë kanë mbajtur fjalime edhe kryetarët e partive të tjera opozitare, si të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Partisë Republikane, Partisë Demokristiane, etj, ndërsa pas fjalimeve protesta ka përfunduar.
Ndërkohë, policia ndërmori një sërë masash shtesë për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë dhe pas zhvillimit të protestës, duke angazhuar qindra forca policore, ndërsa janë shënuar disa incidente të vogla.
Kujtojmë se protesta e fundit e opozitës në Shqipëri u mbajt më 18 dhjetor të vitit 2017, ku u kundërshtua zgjedhja e prokurores së përgjithshme të përkohshme, Arta Marku.