Opozita italiane bën thirrje për embargo të ar’mëve ndaj Tel Avivit në mes të përshkallëzimit të ag’resionit iz’raelit

Lideri i Lëvizjes Pesë Yje të opozitës italiane, Giuseppe Conte, i ka bërë thirrje Italisë dhe Bashkimit Evropian (BE) që të “tejkalojnë fjalët” dhe të vendosin embargo armësh ndaj Izraelit në përgjigje të përshkallëzimit të fundit të dhunës izraelite në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.

“Pas të shtënave në bazat ku janë vendosur ushtarët italianë të misionit UNIFIL, tani tanket izraelite po sulmojnë bazat e OKB-së”, tha Conte në platformën sociale X, duke u shprehur më tej se “kur do t’i hapin sytë njerëzit dhe do të vendosin t’i ndalojnë krimet e luftës së qeverisë së Netanyahu-t”.

“A nuk kanë mjaftuar 12 muaj të shfarosjes sistematike të popullsisë palestineze dhe shkatërrimit të përpiktë të Gazës? A nuk mjaftojnë pushtimet dhe vdekjet në Liban, si dhe sulmet ndaj bazave tona”, shtoi Conte.

Conte theksoi se lëvizja e udhëhequr nga ai ka përkrahur veprimin kundër Izraelit prej muajsh.

“Kur do të vendosë qeveria italiane dhe institucionet evropiane për një embargo armësh ndaj Izraelit, për sanksione ekonomike dhe tregtare, si dhe për masat që tejkalojnë fjalët”, tha ai.

Conte gjithashtu bëri thirrje për hapa vendimtare për të ndalur dhunën.

“Le të ndalojmë çmendurinë e Netanyahu-t. Le të marrim vendime serioze për të vendosur një armëpushim dhe për të arritur një zgjidhje me dy shtete për Izraelin dhe Palestinën”, shtoi ai.

Tensionet rajonale janë përshkallëzuar për shkak të ofensivës brutale të Izraelit ndaj Rripit të Gazës, e cila ka vrarë të paktën 42.300 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi të Hamasit vitin e kaluar.

Konflikti është përhapur në Liban me Izraelin që ka nisur sulme vdekjeprurëse në të gjithë vendin, të cilat që nga 23 shtatori kanë vrarë të paktën 1.488 njerëz dhe kanë plagosur afër 4.300 të tjerë.

Pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare se rajoni i Lindjes së Mesme është në prag të një lufte rajonale mes sulmeve të pamëshirshme të Izraelit në Rripin e Gazës dhe Liban, më 1 tetor Tel Avivi e zgjeroi konfliktin duke nisur një inkursion tokësor në Libanin jugor.