Opozita edhe sot bojkoton Kuvendin, merr pjesë vetëm në disa pika

Tash e disa javë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje po bojkotojnë punën e Kuvendit të Kosovës, duke mos marr pjesë rregullisht në seanca.

Pas pak Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se do të vazhdoj punimet e seancës së lënë gjysmë nga java e kaluar, në të cilët janë në rend dite dhjetëra pika, shkruan Indeksonline.

Por, sikurse seancat e kaluara, edhe sot këto dy parti opozitare nuk do të qëndrojnë gjatë tërë kohës në sallë.

Deputeti i Vetëvendosjes, Adem Mikullovci ka thënë për Indeksonline se sot do të qëndrojnë vetëm për një kohë të caktuar në sallë.

“Tani po vendosim çka do bëjmë tutje, por sot në disa pika do të marrim pjesë e në disa pika tjera nuk do të rrijmë”, ka thënë shkurt Mikullovci.

Njëjtë do të veproj edhe LDK-ja. Deputetja nga radhët e kësaj partie, Besa Gaxherri në një prononcim për Indeksonline tha se janë vetëm disa pika të rendit të ditës, të cilat do t’i mbajnë brenda deputetët e LDK-së.

“Ka disa pika të rendit të ditës në të cilat do të marr pjesë dhe ka disa pika që nuk do të marr pjesë. Sa i përket seancave të radhës nuk mund sot të jap qëndrimin mirëpo ne po punojmë në atë drejtim. Por, sot i kemi dy pika të rendit të ditës të cilat do ti votojmë, kurse pikat tjera do t’i bojkotojmë”, ka theksuar Gaxherri.

Kujtojmë se ky bojkot i dy partive opozitare vije, pasi ato kishin kërkuar që para seancave të rregullta të mbahej një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, për të ndaluar dialogimin e kufijve me Serbinë, kërkesë kjo e cila nuk u miratua.