Operatorët celularë e mbyllën me fitim vitin 2023

Në total, dy operatorët celularë fituan 619 milionë lekë vitin e kaluar, ndërsa viti 2022 ishte mbyllur me humbje neto në vlerën e 499 milionë lekëve.

Operatorët e shërbimeve celulare përmirësuan performancën e tyre financiare vitin e kaluar.

Sipas informacionit të raportuar në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), për vitin e kaluar Vodafone Albania arriti një fitim neto në vlerën e 549 milionë lekëve, ndërkohë që vitin 2022 e pati mbyllur me një humbje neto prej 30 milionë lekësh.

Një fitim më të vogël ka raportuar operatori i dytë One Albania, por që gjithashtu e ka përmirësuar ndjeshëm rezultatin krahasuar me një vit më parë. Sipas AKEP, One Albania e mbylli vitin 2023 me një fitim neto në vlerën e 70 milionë lekëve, ndërkohë që për vitin 2022 kishte raportuar një humbje prej 469 milionë lekësh.

Në total, dy operatorët celularë fituan 619 milionë lekë vitin e kaluar, ndërsa viti 2022 ishte mbyllur me humbje neto në vlerën e 499 milionë lekëve.

Dy operatorët e rrjeteve celulare, Vodafone Albania dhe One Albania, vitin e kaluar raportuan të ardhura prej komunikimeve elektronike në vlerën 25.43 miliardë lekë, shifër kjo afërsisht e njëjtë me vitin 2022.

Në ndarjen e tregut sipas xhiros së gjeneruar nga segmenti celular, Vodafone Albania ka thelluar dominimin e vet, me rreth 56% të totalit të tregut. Në vitin e parë pas shkrirjes mes dy ish-operatorëve ONE Telecommunications dhe ALBtelecom, operatori i ri, One Albania, ka humbur terren, duke zbritur në 44% të tregut sipas xhiros, nga 48% që kishte qenë pjesa e përbashkët e dy operatorëve përpara bashkimit, në 2022.

Ulja e numrit të operatorëve celularë, por edhe rezultatet e pakënaqshme financiare të tyre kanë sjellë qysh prej vitit të kaluar shtrenjtimin e paketave të komunikimit. Operatorët celularë i kanë rritur çmimet për paketat bazike të komunikimit me parapagesë me 100-200 lekë në dy vitet e fundit, por ndërkohë kanë ulur njësitë e përfshira të komunikimit në to, si një formë për të nxitur përdoruesit të lëvizin drejt paketave me çmim më të lartë.

Paketa bazike e komunikimit 30-ditor për të dy operatorët celularë kushton 600 lekë dhe është identike në përmbajtje, me 50 minuta komunikim kombëtar dhe 50 MB internet të përfshira.

Ndërkohë, paketa e radhës 30 ditore tashmë ka një çmim prej 1 mijë lekësh. Në One Albania kjo paketë përfshin 400 minuta kombëtare, 400 SMS dhe 1 GB internet. Në Vodafone Albania kjo paketë përfshin 300 minuta kombëtare, 300 SMS dhe 1 GB internet.

Duke pasur parasysh se tashmë pjesa dërrmuese e përdoruesve zotërojnë smartphone dhe janë përdorues të rregullt të internetit nëpërmjet tyre, njësitë që ofrojnë dy paketat e para nuk janë të mjaftueshme për një përdorim optimal mujor.

Sipas statistikave të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), konsumi mesatar i internetit për çdo përdorues të telefonisë celulare në Shqipëri është afërsisht 8.5 GB në muaj. Kjo kërkon blerjen e një pakete shtesë interneti, që kushton nga 500 deri në 800 lekë në muaj, në varësi të volumit dhe paketave të ofruara nga dy operatorët celularë.

Zgjidhja tjetër është kalimi në një paketë mujore universale me çmim më të lartë. Paketa e radhës 30 ditore kushton tashmë 1500 lekë në muaj. Në One Albania, kjo përfshin 4000 minuta kombëtare, 1000 SMS kombëtare dhe 10 GB internet. Në Vodafone Albania paketa përfshin 2000 minuta kombëtare, 2000 SMS kombëtare dhe 10 GB internet.

Më tej, operatorët ofrojnë edhe paketa më të shtrenjta 30 ditore që kushtojnë deri në 2100 lekë.

Një tendencë të ngjashme po shfaqin edhe paketat mujore të abonimit me kontratë. Paketa më e lirë mujore për abonentët me kontratë tashmë kushton 900 lekë (800 lekë për kontratat 24-mujore) dhe për One Albania përfshin 400 minuta kombëtare, 400 SMS dhe 1 GB internet, ndërsa për Vodafone Albania përmban 300 minuta, 300 SMS dhe 1 GB internet. Për një komunikim të lirshëm, një abonent me kontratë duhet të kalojë në paketën e radhës që në One Albania përmban 5000 minuta kombëtare, 1000 SMS kombëtare, 10 Gb internet dhe kushton 1400 lekë në muaj për kontratat 12 mujore ose 1300 lekë në muaj për kontratat 24 mujore.

Në Vodafone Albania plani kushton 1400 lekë në muaj dhe përfshin 2000 minuta kombëtare, 2000 SMS kombëtare dhe 10 GB internet.

Ndërkohë, të dy operatorët celularë, në kushtet e përgjithshme të kontratës, kanë përcaktuar të drejtën e tyre për të indeksuar çdo vit çmimin e paketës me inflacionin mesatar vjetor, sipas shifrës së publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) për vitin paraardhës.

/Monitor