Policia e Kosovës ka sekuestruar armë dhe municion në Rahovec. Sipas njoftimit më datën 22 dhjetor, policia ka pranuar një raportim lidhur me një rast të kanosjes.
Viktima, mashkull i moshës madhore, ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje, i dyshuari, po ashtu mashkull i moshës madhore, e kishte kanosur.
“Lidhur me ankesën, hetuesit policorë kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme, pasi kishte dyshime se i dyshuari posedonte armë zjarri në pronën e tij në fshatin Pataqan i Poshtëm të komunës së Rahovecit”, thuhet në njoftim.
Në konsultim me prokurorin kujdestar, është kryer kontroll në shtëpinë dhe objekteve përcjellëse në pronësi të të dyshuarit.
Gjatë kontrollit, janë gjetur dhe sekuestruar: një pushkë gjuetie dhe 25 fishekë, një pistoletë dhe 25 fishekë, një pushkë ajrore dhe një pistoletë për sinjalizim me zë.
“Me vendimin e prokurorit kujdestar, ndaj të dyshuarit është iniciuar procedura për veprat penale “Kanosje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe i njëjti është ndalur në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftim.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë mbetet e përkushtuar për garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve, duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për trajtimin e rasteve në përputhje me ligjin.