Një operacion ndërkombëtar antdrogë i realizuar mes Gjermanisë, Spanjës dhe Shqipërisë ka vënë para drejtësisë 107 persona, të dyshuar në përshirjen e narkotrafikut dhe kultivimit të lëndëve narkotike.
Europol deklaron se gjatë operacionit të koduar “Dobra” u kryen kontrolle në 51 ambiente në Madrid të Spanjës, nga të cilat u zbuluan 23 shtëpi bari. Po ashtu mësohet se u asgjësuan rreth 25.000 bimë narkotike kanabis, u sekuestruan 938 kg boçe kanabisi, tri mjete luksoze, dhe një shumë prej 68.760 euro.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu ndodhet në Madrid, ku po merr pjesë në konferencën e hapur bashkë me komisarin e përgjithshëm të Policisë Gjyqësore spanjolle , Rafael Pérez Pérez dhe kreun e Divizionit të Hetimit Penal, Ramón Chacón.
Ardi Veliu, në një konferencë të hapur në Spanjë, ka thënë se policia shqiptare ka qenë prezente që në fillimet e hetimeve dhe se hapi i radhës do të jetë identifikimi dhe investigimi i pasurive të këtyre shtetasve në Shqipëri, në mënyrë që të paralizohet plotësisht veprimtaria kriminale.
“Mirëdita të gjithëve! Siç e përmendën edhe kolegët parafolës, për gati një vit pune të gjatë investiguese dhe hetimore tashmë është bërë i mundur finalizimi i këtij operacioni të madh ndërkombëtar. Edhe policia shqiptare si pjesë përbërëse në finalizimin e këtij operacioni, ka qenë e përshirë që në momentet e para duke ndihmuar me shkëmbimin e informacionit për shtetasit shqiptar të përfshirë. Duke iu mundësuar kolegëve spanjoll thellimin e hetimeve, ashtu dhe në veprime konkrete në ditët e vazhdimit dhe finalizimit të operacionit me oficerë nga Shqipëria.
Kjo vërteton që policia shqiptare është e pjekur jo vetëm profesionalisht, por është dhe një partner i besueshëm për të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit, për të bërë të mundur goditjen e krimit të organizuar në të gjitha vendet që ka të përfshirë shtetas shqiptar. Ne nuk do të mjaftohemi vetëm me ndalimin e operacionit në këtë stad, por do të vazhdojmë në vendin tonë për të identifikuar dhe investuar të gjitha pronat që kanë ardhur nga rezultat i këtij veprimtarie kriminale për të gjithë shtetasit e përshirë. Duke goditur dhe në pjesën ekonomike i japim një goditje të fortë këtij grupi kriminal, duke e paralizuar atë.
Ky është operacioni i parë i përbashkët që zhvillojmë me kolegët tanë spanjoll, unë besoj dhe shpresoj që do ta vijojmë dhe në të ardhmen operacione të tilla të përbashkëta. Suksese”, u shpreh Ardi Veliu.
Mediat raportojnë se numri i shqiptarëve të arrestuar gjatë këtij mega-operacioni është 60. /tiranapost