“Open balkan” dhe murgjit

Ismail SINANI

Shkruan: Ismail SINANI

“Open Balkan”… Çfarë përfitojnë shqiptarët? Çfarë përfiton Shqipëria? Çfarë përfiton Kosova? Çfarë përfiton Serbia dhe serbët si antonim të shqiptarëve? Çfarë përfiton rajoni? Çfarë përfiton Bashkimi Europian? Çfarë ndryshon në raportin gjeopolitik? A është kjo “punë” e amerikanëve? Çfarë e çfarë… mund të parashtrojmë pa fund pyetje dhe në fund mund të përfundojmë sikurse në tregimin që e shpjegon filozofi Francis Bacon (1605), i cili e përshkruan një diskutim të “dijetarëve” dhe “dinjitarëve” të kishës për një “fenomen natyror” se sa dhëmbë i ka kali. Ai tregon se në vitin 1432 murgjit kishin zhvilluar një debat plot 13 ditë se sa dhëmbë ka në gojën e kalit. Kishin marrë e i kishin shfletuar të gjitha librat e kohës për të ardhur të e vërteta dhe debati kishte shkuar flakë, por assesi nuk kishin mundur të arrinin te ndonjë konkluzion. Në ditën e 14-të, një çun i ri, pragmatik për kohën e vet, u thotë se nuk kanë nevojë për debate kaq të thella intelektuale e po aq edhe të zjarrta. Mjafton t’ia hapin gojën kalit dhe t’i numërojnë dhëmbët dhe çështja zgjidhet se çel e mbyllë sytë. Por, “murgjit e mençur” ndjehen të fyer dhe të prekur thellë në sedër. Djalin e ri e nxjerrin jashtë me “bindjen” se i është futur djalli në bark. Debati, për fat të keq, vazhdon edhe ca ditë të tëra, për të arritur më në fund në konkluzionin se çështja e dhëmbëve të kalit ngelet një mister i përhershëm, i cili në analet e historisë do të ngelet kështu…

Jemi në vitin 2021 dhe “Open Balkan” gjendet këtu, para nesh. Liderët e rajonit i kemi përballë. Librat janë të hapura. Populli që e vëzhgon debatin është këtu. Përballë kemi dy opsione: ose ia hapim gojën kalit e ia numërojmë dhëmbët ose e fillojmë debatin “mbi misterin e madh”! Nëse “ia hapim gojën kalit”, çështja zgjidhet më lehtë. Nëse zhvillojmë debat “mbi misterin e madh”, çështja zvarritet pa kufi dhe në fund ngelet e shënuar në histori si çështje e pazgjidhur… sikurse shumë çështje tjera.

“Hapja e gojës se kalit”, përmes pyetjeve të parashtruara në fillim, i qartëson (thuajse) të gjitha dilemat. E kuptojmë se aktualisht ky projekt më së shumti i shkon për shtati Serbisë, e kuptojmë se Serbisë në rrugë të shkurtër i mundësohet dalja në det, e kuptojmë se Shqipëria dhe Kosova mund të vërshohen nga produktet serbe, e kuptojmë, e kuptojmë… Po ashtu e kuptojmë se kjo nismë rajonale e nxjerr në pah dobësinë shqiptare se, përveç zallit të detit që ia ka falë Zoti, nuk ka arritur të shquhet për asgjë tjetër në tregun rajonal. (Në kohë të diktaturës së Enverit na thoshin se domatet e Shqipërisë shiten në Gjermani, e kjo neve na bënte krenarë se ja gjermanët e kanë Mercedesin, ama edhe Shqipëria i ka domatet). E kuptojmë se çdo nismë më e madhe, hapin e parë e ka te një hap i vogël. E kuptojmë se Bashkimi Europian ka dilema fort të mëdha për t’i përfshirë në “familjen e vet” këto gjashtë shtete te Ballkanit. E kuptojmë se “frika” europiane mund të jetë për motive fetare, etnike, gjeopolitike… E kuptojmë se nëse kjo nismë e ka bekimin amerikan, të paktën ne shqiptarët, nuk është mirë ta kundërshtojmë, kuptohet, përpos nëse nuk është “punë grenellash”. E kuptojmë se nëse kjo punë në hartën e madhe gjeo-ekonomike (politike) bëhet për t’ia ndalë hovin Rusisë dhe Kinës, e kemi detyrim ta pranojmë. E kuptojmë se nëse kjo nismë ndihmon që çështja e njohjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë bëhet më e lehtë, ia vlen të rrezikohet që të bëhemi pjesë e saj. Po ashtu e kuptojmë se nëse kjo nismë sjellë qarkullim të lirë të mallrave dhe njerëzve në rajon, duhet thënë “po”. Po ashtu e kuptojmë se ne shqiptarët nuk duhet t’i kemi frikë aq shumë serbët, pasi që në fund të fundit i kemi dy shtete. Por, para se t’i kuptojmë të gjitha këto, dy kryeministrat tanë duhet ta kuptojnë një gjë: ose do të sillen sikurse binjakë siamezë ose do të na marrin në qafë të gjithëve. E pastaj, pas 50 vjetëve, mund të zhvillohen një mori debatesh të tjera se kush e kishte “me vend”… ama atëherë do të jetë kotë.

Nëse nuk ia hapim gojën kalit, “çështja e misterit” do të qëndrojë përherë… Nuk do ta dimë kurrë se kush humbë e kush fiton. Nuk do ta kuptojmë asnjëherë se çfarë dobie ekonomike sjellë ky projekt. Nuk do të mund ta dimë nëse shqiptarët bëjnë mirë ose bëjnë keq që disa mendojnë “pro” e disa “kundër”… Nuk do të dimë shumëçka. E pastaj, do t’u ngjajmë atyre të Mesjetës. /shenja