Omleta është një ndër recetat më të hershme jo vetëm të kuzhinës shqiptare por gjithë kuzhinës botërore.
Një ushqim i shijshëm por mbi të gjitha i pasur me vlera ushqyese, me përbërës kryesor vezët, omleta vijon të mbetet simboli i një mëngjesi të shëndetshëm.
Omleta përgatitet shumë lehtë dhe kërkon pak kohë ndërkohë që është e pasur me vlera të shëndetshme.
Ajo përgatitet e kombinuar në mënyra të ndryshme, me djathë të bardhë a kaçkavall e erëza, proshuta të ndryshme e salsiçe etj.
Por mund të kombinoni edhe të gjitha perimet që u gjenden në shtëpi, domate, patate, karrota, kunguj, lulelakër, brokoli etj.
Sa më shumë përbërës të hidhni, aq më shumë e shijshme dhe e shëndetshme do të bëhet omleta.
Omleta me Gjizë
(Përbërësit e kësaj recete janë për katër persona)
- 4 kokrra vezë
- 4 lugë gjelle qumësht
- Vaj ulliri
- 2-3 lugë gjelle gjizë
- kripë
- piper
- rigon
Përgatitja
Rrihni në një tas të bardhat e vezëve derisa masa të nisë të shtojë pak volumin e saj.
Shtoni aty të verdhat e vezëve, vijoni t’i rrihni, shtoni kripën dhe piperin dhe rrihini derisa të njëtrajtësohen.
Vendosni një tigan në zjarr, shtoni aty vaj ulliri dhe sapo të nxehet shtroni masën e vezës së rrahur.
Përhapeni njëtrajtësisht në të gjithë sipërfaqen e tiganit dhe rrotullojeni tiganin herës duke e mbajtur kapakun mbyllur.
Shtoni gjizën mbi sipërfaqen e vezës dhe përmes një spatula kuzhine omletën kthejeni në dysh ose në formën e rolesë.
Por nëse preferoni mund të mos e përthyeni dhe ta lini thjeshtë të shtrirë duke e lënë për 2 minuta me kapak të mbyllur në zjarr.
Mbajtja e tiganit me kapak gjatë përgatitjes së omletës ndihmon që ajo të piqet edhe nga pjesa e sipërme.