Omicron/ OBSH e shqetësuar se vendet e pasura mund të grumbullojnë më tepër vaksina

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shprehur shqetësimin se vendet e pasura do të fillojnë të grumbullojnë më shumë vaksina kundër Covid si përgjigje ndaj përhapjes së shpejtë të variantit të ri Omicron.

Ajo tha se kjo gjë mund të vërë në rrezik furnizimin me vaksina për vendet ku shumica e njerëzve mbetet ende e pavaksinuar. Disa vende të pasura po përshpejtojnë fillimin e aplikimit të dozave përforcuese për t’iu përgjigjur variantit Omicron. Ka shqetësime se vaksinat janë më pak efektive ndaj këtij varianti.

Studimet e fundit për vaksinën Pfizer/BioNTech treguan se ajo prodhoi shumë më pak antitrupa neutralizues kundër Omicron sesa kundër variantit origjinal të virusit, por kjo mungesë antitrupash mund të rikuperohet nga doza përforcuese. Megjithatë, OBSH thotë se administrimi i dozave fillestare duhet të jetë prioritet.

Drejtoresha e vaksinave në OBSH, Kate O’Brien, u bëri thirrje vendeve më të pasura që të vazhdojnë të dhurojnë doza dhe dërgesa vaksinash për vendet që nuk kanë mundësi për t’i siguruar ato, në mënyrë që të adresohet problematika e cila kishte krijuar një pabarazi të rrezikshme në aksesin te vaksinat.

“Ndërsa hyjmë në situatën plot të panjohura që do të na sjellë Omicron, ekziston rreziku që furnizimi global do të rikthehet përsëri drejt vendeve me të ardhura të larta, të cilat grumbullojnë dhe krijojnë rezerva me vaksina,” tha ajo. Furnizimet për programin global të shpërndarjes së vaksinave Covax janë rritur gjatë muajve të fundit.

Por zyrtarët e OBSH i druhen përsëritjes së një mungese të vaksinave prej dhjetëra miliona dozash, si ajo që ndodhi në mes të këtij viti pjesërisht si rezultat i pezullimit të eksporteve nga India për shkak të rritjes së madhe të rasteve atje. Dr. O’Brien tha se ishte e mundur që dozat përforcuese të sigurojnë mbrojtje shtesë kundër Omicron, por kishte ende pak prova që ato ndihmojnë për mbrojtjen kundër të sëmururit rëndë.

Omicron është versioni me më shumë mutacione i koronavirusit i zbuluar deri më tani.

Ai u identifikua për herë të parë në Afrikën e Jugut, vend në të cilin aktualisht ka një rritje të numrit të njerëzve që riinfektohen me Covid për të disatën herë. Zyrtarët në Mbretërinë e Bashkuar thonë se shenjat e deritanishme tregojnë se Omicron mund të jetë më i transmetueshëm se varianti aktual Delta. Por aftësia e Omicron për të shkaktuar sëmundje të rëndë nuk është ende e qartë.

Dr. Anthony Fauci, eksperti i lartë i sëmundjeve infektive në SHBA, tha se provat e deritanishme tregojnë se Omicron mund të jetë më i transmetueshëm, por më pak i rëndë.

Ka pasur më shumë se 267 milionë raste të infektuara me Covid-19 dhe më shumë se pesë milionë humbje jete në mbarë globin që nga fillimi i pandemisë në vitin 2020, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins./ BBC