Ballina Kuzhinë Omëletë me majdanoz dhe djathë – E lehtë plot shije

Omëletë me majdanoz dhe djathë – E lehtë plot shije

Omëleta sigurisht është një zgjidhje e duhur kur kërkon diçka të shpejtë për të përgatitur.

Ajo mund të përgatitet me perime, gjizë, apo edhe suxhuk, dhe kthehet në një drekë të plotë.

Receta e sotme nga AgroWeb.org është një version më i lehtë i omëletës klasike.

Gjithashtu kjo omëletë përgatitet duke i ndarë të bardhat e vezëve nga të kuqet.

Një gjë e tillë bën që vezët të piqen duke u fryrë.

Majdanozi nga ana tjetër krijon një ndjesi dhe shije freskie, perfekte për ata që kërkojnë të ruajnë peshën e tyre.

Përbërësit

  • 6 vezë
  • 1 lugë e gjysmë çaji me miell
  • 120g djathë i bardhë i thërrmuar
  • 60ml qumësht
  • 3 lugë gjelle vaj ulliri
  • 40g majdanoz i grirë
  • Kripë dhe piper i zi

Përgatitja

AgroWeb.org si fillim ju këshillon që të ngani të bardhat nga të verdhat e vezëve në dy tasa të ndryshëm.

Të verdhat rrihini me një pirun dhe aty shtoni pak nga pak djathin e bardhë të thërrmuar dhe miellin.

Sigurohuni që mielli të jetë lidhur mirë me vezët e të mos ketë krijuar kokrriza.

Më pas shtoni qumështin, kripën dhe piperin sipas dëshirës.

Rrihini vezët përsëri me pirun derisa të gjithë përbërësit të jenë lidhur mirë me njëri – tjetrin.

Shpëlani me ujë të bollshëm majdanozin dhe këpusni vetëm gjethet e tij.

Filloni t’i grini jo shumë imët, në mënyrë që të shija e tij të ndihet mjaftueshëm kur ta konsumoni.

Tani AgroWeb.org ju këshillon që të rrihni të bardhat e vezëve derisa të keni formuar merengen.

Mos harroni t’i hidhni pak kripë të bardhave, kështu nuk do të lëshohen e të bëhen të ujshme.

Nisni t’i bashkoni me të verdhat duke i shtuar lugë-lugë.

Përziejini me kujdes në mënyrë që të mos humbasin volumin e tyre.

Me pas vendosni në zjarr një tigan me vajin e ullirit që të ngrohet.

NJë nga gabimet më të shpeshta që bëhet me vezët është që ato hidhen kur vaji nuk është ngrohur ende.

Ndaj AgroWeb.org ju këshillon që të prisni sa vaji të jetë në temperaturën e duhur.

Kalojeni masën në tigan dhe mbulojeni me një kapak që të skuqet në zjarr të ngadaltë.

Kthejeni nga ana tjetër me ndihmën e një pjatë e më pas skuqeni përsëri.

Pasi të jetë gati, mund ta shoqëroni me tarator, kos apo sallata të freskëta.

Exit mobile version