OKB: Turqia, vend kyç në aspektin e ndihmave për popullin sirian

Zëdhënësi i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), Jens Laerke, tha se situata humanitare në Siri është “tmerruese”, me 11 milion civilë që mbijetojnë përmes ndihmave humanitare të OKB-së, duke shtuar se Turqia është një lojtar kyç për sa u përket ndihmave për këtë vend.

Në një intervistë me Anadolu Agency (AA), Laerke tha se dhjetë vitet e luftës civile në Siri janë të barabarta me kohën sa zgjatën dy luftërat botërore.

“Kjo është një kohë tmerrësisht e gjatë”, theksoi ai.

Ai tha se situata humanitare në Siri ka arritur në përmasa jashtëzakonisht tmerruese.

“Rreth 11 milion njerëz ende kanë nevojë për ndihmë, mbrojtje dhe mbështetje të OKB-së”, u shpreh ai.

Laerke tha se pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) gjithashtu i ka shkaktuar goditje të rëndë ekonomisë në Siri.

“Çmimet e ushqimeve po rriten. Njerëzit nuk kanë më kursime për t’i përdorur këto ditë. Edhe më shumë njerëz do të vuajnë nga uria”, shtoi ai.

Thirrje për ndihmë prej 3,8 miliardë dollarësh

Laerke tha se të martën, 30 qershor, Bashkimi Evropian (BE) dhe OKB-ja do të zhvillojnë një takim të përbashkët të “donatorëve të nivelit të lartë” në Bruksel, kryeqytetin e Belgjikës, për krizën siriane.

Duke vënë në dukje se takimi do të mbahet me video-konferencë, Laerke tha se temë diskutimi do të jetë situata politike në Siri dhe se ata kanë marrë konfirmim të pjesëmarrjes nga 58 vende.

Ai deklaroi se OKB-ja ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare 3,8 miliardë dollarë këtë vit për të ndihmuar civilët në Siri me ushqim, strehim, ujë të pastër dhe shërbime shëndetësore, por vetëm një e treta e kësaj shume është mbledhur deri më tani.

“Turqia, mikpritëse e mrekullueshme”

“Turqia ka qenë një mikpritëse e mrekullueshme për një kohë të gjatë (për refugjatët)”, tha Laerke, duke kujtuar se miliona civilë janë strehuar në Turqi si pasojë e luftës në Siri.

Laerke tha se fondi që do të sigurohet në konferencën e donatorëve në Bruksel, do të ndihmojë sirianët e strehuar në vendet fqinje, përfshirë Turqinë.

Ai po ashtu tha se OKB-ja ka bërë thirrje për një donacion shtesë prej 5,8 miliardë dollarësh për sirianët jashtë vendit.

“Përleshjet në Idlib janë ulur ndjeshëm”

Duke vënë në dukje se armëpushimi, i cili hyri në fuqi me marrëveshjen midis Turqisë dhe Rusisë më 6 mars 2020, respektohet në masë të madhe, Laerke tha: “Ne kemi vërejtur një ulje të konsiderueshme të përleshjeve në Idlib në dy muajt e fundit. Megjithatë, nuk mund të themi se situata në zonë është plotësisht e qetë. Herë pas here ka përleshje. Por e vërteta është se konfliktet janë ulur”.

“Turqia, vend kyç në dy aspekte për Sirinë”

Laerke potencoi se armëpushimi në Idlib nuk ka zgjidhur çdo gjë dhe se 2,8 milionë njerëz të këtij rajoni kanë nevojë për ndihmë nga OKB-ja.

“Gjithsesi, Turqia është një lojtar kryesor për t’i ndihmuar këta njerëz. Sepse (nga Turqia) ne organizojmë një gamë të gjerë operacionesh humanitare ndërkufitare çdo ditë. Muajin e kaluar ne thyem rekordin me këto ndihma. 1.800 kamionë kaluan nga Turqia në Idlib për të ndihmuar popullatën e Idlibit”, tha Laerke.

Ai theksoi se Turqia është vend kyç në dy aspekte në rajon.

“Para së gjithash, ajo strehon numrin më të madh të sirianëve. Së dyti, është një lojtar kyç në që mundëson të dërgojmë ndihmë humanitare në zonat e konfliktit në Siri”, deklaroi Jens Laerke.