Përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara (OKB) për Sirinë, Geir Pedersen, i bëri thirrje regjimit të Bashar Al-Assadit në Siri që të lirojë në mënyrë “të njëanshme” dhe “në masë të madhe” të burgosurit dhe personat e arrestuar në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pedersen mbajti një fjalim në hapjen e Konferencës së katërt në Bruksel me temë “Mbështetja e së ardhmes së Sirisë dhe rajonit” që zhvillohet nën bashkëkryesimin e BE-së dhe OKB-së.
Ai theksoi se elementi parësor i detyrës së tij është përfundimi i dhunës në luftën e brendshme në vend, duke shtuar se është i lehtësuar në masë të madhe me armëpushimin që hyri në fuqi më 6 mars 2020 në Idlib me marrëveshjen mes Turqisë dhe Rusisë.
Pedersen ripërsëriti thirrjen e tij për armëpushim në të gjithë Sirinë dhe uroi që qetësia në Idlib të shikohet edhe në rajonet e tjera.
Ai i bëri thirrje kryesisht regjimit të Assadit dhe palëve të tjera përkatëse në vend duke theksuar se “Unë ripërsëris thirrjen time drejtuar qeverisë siriane dhe palëve të tjera të interesit në Siri për të liruar në mënyrë të njëanshme dhe në masë të madhe të burgosurit dhe personat e arrestuar si dhe të ndërmarrin veprime të konsiderueshme për njerëzit e zhdukur”.
Komiteti Kushtetues i Sirisë mund të fillojë bisedimet e raundit të tretë në fund të gushtit
Pedersen njoftoi se Komiteti Kushtetues i Sirisë mund të mblidhet për bisedimet e raundit të tretë në Gjenevë të Zvicrës në rast se koronavirusi i ri (COVID-19) nuk bëhet pengesë.
“Shpersa ime është që komiteti të mund të mblidhet rregullisht deri në fund të vitit. Sigurisht që negociatat për Kushtetutën nuk do të mund të trajtojnë në më shumë mënyra të vërtetat e dhimbshme të popullit të Sirisë. Por, puna e komitetit mund të jetë një çelës për të hapur kyçin e një procesi politik më të gjerë”, vlerësoi Pedersen.