Situata në Rripin verior të Gazës është “apokaliptike”, thanë të premten krerët e Kombeve të Bashkuara, duke paralajmëruar se e gjithë popullsia e saj ishte në “rrezik të menjëhershëm” vdekjeje. Sipas tyre, i gjithë rajoni i Lindjes së Mesme tani është në një greminë dhe bënë thirrje për një armëpushim.
“Situata që po shpaloset në Gazën e Veriut është apokaliptike”, thuhet në deklaratën e përbashkët nga krerët e organizatave që formojnë Komitetin e Përhershëm Ndër-Agjencior të OKB-së. “E gjithë popullata palestineze në Gazën Veriore është në rrezik të menjëhershëm për të vdekur nga sëmundjet, uria dhe dhuna.”
Ata u kërkuan të gjitha palëve që luftojnë në territorin e rrethuar palestinez të mbrojnë civilët dhe i bënë thirrje Izraelit “të ndalojë sulmin e tij ndaj Gazës dhe humanitarëve që përpiqen të ndihmojnë”.