Ballina Lajmet Rajon dhe Botë OKB: Situata e sigurisë në rajonin Tigray të Etiopisë ende e paqëndrueshme

OKB: Situata e sigurisë në rajonin Tigray të Etiopisë ende e paqëndrueshme

Kombet e Bashkuara (OKB) janë shprehur se situata e sigurisë në rajonin Tigray të Etiopisë, ku qeveria qendrore nisi një operacion të zbatimit të ligjit nëntorin e kaluar, mbetet ende “e paqëndrueshme”, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Situata e sigurisë mbetet tepër e ndërlikuar dhe jashtëzakonisht e paqëndrueshme. Armiqësitë dhe sulmet e vazhdueshme, përfshirë në rrugët kryesore, si dhe përdorimi i granatimeve të artilerisë raportohen në disa vende”, tha Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare në raportin e saj rreth situatës.

Gjithashtu bëhet thirrje për një hetim në sulmin ajror të 22 qershorit që thuhet se janë vrarë dhe plagosur civilë në një treg në Togoga, në pjesën jugperëndimore të rajonit Tigray.

Ramesh Rajasingham, nënsekretar i përgjithshëm në detyrë për çështjet humanitare dhe koordinatori i ndihmës emergjente, u bëri thirrje autoriteteve të kryejnë hetim “të shpejtë” dhe “efektiv” mbi sulmin dhe të ndjekin penalisht “autorët e shkeljeve serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar”.

Qeveria etiopiane ka mohuar të ketë në shënjestër civilët, duke thënë se forcat e saj kanë goditur vetëm rebelët.

Sulmi ndodhi derisa numërimi i votave ishte duke u zhvilluar pas zgjedhjeve të përgjithshme të Etiopisë të hënën. Votimi nuk u mbajt në Tigray.

Vitin e kaluar, autoritetet filluan operacionin kundër forcave të Frontit të Çlirimit Popullor Tigray (TPLF) tani të shkatërruar, pasi ata vranë ushtarë dhe plaçkitën pajisje ushtarake nga bazat e ushtrisë.

TPLF kishte dominuar politikën kombëtare për dekada deri sa Abiy Ahmed erdhi në pushtet në vitin 2018.

Abiy, fituesi i Çmimit Nobel të Paqes në vitin 2019, deklaroi fitore në fund të nëntorit pasi ushtria hyri në Mekelle. Megjithatë konflikti ka sjellë viktima, zhvendosje dhe një krizë humanitare. /aa

Exit mobile version