Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka shprehur shqetësim sot pasi policia në Beograd ndërhyri këtë javë për të mbrojtur muralin e kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiç të pikturuar në një ndërtesë në qendër të kryeqytetit serb, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Murali në Beograd nuk është një incident i izoluar”, tha Liz Throssell, zëdhënëse e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, në një konferencë për media të OKB-së në Gjenevë.
“Posterë, grafite, materiale të tjera dhe deklarata që lavdërojnë kriminelët e luftës gjenden në pjesë të tjera të Serbisë si dhe në qytete të ndryshme në Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci, Mal të Zi dhe gjetkë në rajon”, tha Throssell.
“Simbolet që lavdërojnë kriminelët e dënuar të luftës nuk duhet të kenë vend në hapësirën publike”, tha ajo.
Simbole të tilla janë shqetësuese duke pasur parasysh kohët e fundit rritjen e gjuhës së urrejtjes dhe mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera mizore në Ballkanin Perëndimor – “zhvillime që nxjerrin në pah dështimin për zgjidhjen e problemeve nga e kaluara”.
Zyrtari i zyrës së OKB-së tha se situata në Bosnjë e Hercegovinë është “veçanërisht shqetësuese”, ku trende të tilla po thellojnë ndarjet.
“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve në rajon që të respektojnë detyrimet e tyre ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që të sigurojnë të drejtat për të vërtetën, drejtësinë dhe dëmshpërblimin si dhe të miratojnë masa për të parandaluar përsëritjen dhe për të nxitur përpjekjet e mëtejshme të pajtimit”, tha Throssell.
Zyra për të drejtat e njeriut u bëri thirrje autoriteteve që të dënojnë dhe të përmbahen nga të gjitha format e gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes së dhunës dhe të sigurojnë që autorët e akteve të tilla të mbajnë përgjegjësi.
Mlladiç dikur ishte njeriu më i kërkuar në Evropë për shkak të rolit të tij që pati në Luftën e Bosnjës në periudhën 1992-1995.
Ai ishte komandanti i Ushtrisë së Republikës Sërpska, e formuar në Bosnjë e Hercegovinë në fillim të luftës civile të vendit në mes të shpërbërjes së Jugosllavisë.
Mlladiç dhe forcat nën komandën e tij ishin të lidhura me gjenocidin e kryer në BeH, veçanërisht në Srebrenicë, mizoria më e rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, pasi forcat serbe pushtuan një enklavë që supozohej të ishte nën mbrojtjen e paqeruajtësve të OKB-së.
Pas përfundimit të luftës me Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995, Mlladiç ishte i arratisur për më shumë se një dekadë. /aa