Ballina Lajmet Rajon dhe Botë OKB: Qindra kamionë të ndihmave që kanë hyrë në Tigray të Etiopisë...

OKB: Qindra kamionë të ndihmave që kanë hyrë në Tigray të Etiopisë nuk janë kthyer

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) njoftoi se asnjë prej qindra kamionëve të ndihmave nuk janë kthyer pas hyrjes në rajonin Tigray që mbahet nën bllokadë në Etiopi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga OKB-ja, thuhet se asnjëra nga 149 maunet që hynë javën e kaluar në rajon nuk janë kthyer dhe se nga rajoni kanë dalë vetëm 38 nga 466 maunet që kanë mbërritur në këtë rajon që nga 12 korriku e deri më tani.

Më tej bëhet e ditur se kjo situatë ka krijuar shqetësim dhe se ka nevojë për këto kamionë në mënyrë që të dërgohen ndihma për popullatën.

Qeveria e Etiopisë ka deklaruar se kamionët në fjalë mund të jenë konfiskuar nga Fronti Popullor Çlirimtar i Tigray-it (TPLF) për përdorimin e qëllimeve të tyre logjistike i cili ndodhet në konflikt me forcat e ushtrisë federale.

Zëdhënësi i TPLF, Getachew Reda duke refuzuar akuzat, vuri në dukje se drejtuesit e kamionëve kanë ankesa për mungesën e karburantit dhe sigurisë dhe se çështja nuk ka lidhje me qeverinë e Tigray-it.

Kriza humanitare në rajon u rrit pasi lufta për pushtet që u përjetua mes ushtrisë federale dhe TPLF në rajonin Tigray në veri të vendit u përhap në rajonet fqinje.

Teksa vetëm në Tigray janë zhvendosur rreth 2 milionë njerëz, thuhet se aktualisht mbi 5 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare.

Ushtria e Etiopisë edhe pse arriti sukses të pjesshëm në operacionet e filluara në nëntor të vitit 2020 kundër rebelëve, ajo u tërhoq nga kryeqyteti i Tigray-it, Mekelle më 28 qershor duke treguar si arsyetim situatën humanitare.

Qeveria e cila kishte shpallur armëpushim të njëanshëm, kaloi në kundërsulm pas përparimit të shpejtë të TPLF në veri. /aa

Exit mobile version