OKB-ja raportoi për demonstrata të dhunshme në Republikën Demokratike të Kongos, me protestues që kanë synuar zyrat e organizatës, ambasadat dhe vende të tjera në kryeqytetin Kinshasa, raporton Anadolu.
Zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric tha në një konferencë për shtyp se Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres ka zhvilluar dy telefonata të veçanta, një me presidentin Felix Tshisekedi të Republikës Demokratike të Kongos dhe më pas me presidentin Paul Kagame të Ruandës.
“Ata diskutuan situatën e vazhdueshme në pjesën lindore të Republikës Demokratike të Kongos në telefonatën e tij me presidentin Kagame, ku gjithashtu u theksua nevoja për të mbrojtur civilët në atë zonë”, tha Dujarric.
I pyetur për rezultatin e bisedave, Dujarric tha se zgjidhja e krizës do të kërkojë kohë dhe angazhim për zgjidhje politike.
“Kriza në lindje të Kongos ka vazhduar për dekada. Ajo nuk do të zgjidhet brenda 24 orëve”, shtoi ai.
Duke përmendur procesin e Luandës si një kornizë premtuese, ai tha: “Ka shumë procese që kemi parë, veçanërisht procesi i Luandës, i cili kishte bërë përparim. Ne do të dëshironim të shihnim palët të angazhohen përsëri për këtë’.
I themeluar në vitin 2022, procesi i Luandës synonte uljen e tensioneve dhe gjetjen e paqes së qëndrueshme midis RD të Kongos dhe Ruandës.
Dujarric tha se demonstratat janë kthyer në “dhunë”, me demonstruesit që kanë sulmuar zyrat paqeruajtëse të OKB-së dhe ambientet e agjencive të tjera.
“Demonstruesit vunë zjarr jashtë ambienteve të OKB-së, si atyre paqeruajtëse, ashtu edhe disa prej agjencive tona, si dhe shënjestruan disa ambasada. Në Kinshasa janë raportuar plaçkitje gjithashtu”, tha ai.
Duke vënë në dukje se OKB-ja po koordinohet me aktorë të tjerë për të menaxhuar situatën, ai tha: “Jemi gjithashtu në kontakt me autoritetet franceze, të cilat gjithashtu kanë qenë në kontakt me palë të ndryshme”.
I pyetur për pritjet e OKB-së nga Franca në lidhje me situatën, Dujarric tha: “Kushdo që mund të jetë i dobishëm, ne mirëpresim çdo ndihmë të menjëhershme”.
“Megjithëse ka, siç thashë, një proces politik shumë të vendosur, procesi i Luandës. Ne duam që palët të riangazhohen për këtë dhe përpjekjet nga vendet në rajon dhe më gjerë duhet të jenë për të nxitur në atë drejtim”, tha ai.
Më herët të hënën, rebelët M23, të cilët dyshohet se mbështeten nga Ruanda, pretenduan se kishin marrë kontrollin e qytetit lindor Goma, ndërsa Kinshasa pretendoi se forcat ruandeze ishin të pranishme.
Deri më tani, të paktën 25 persona janë vrarë në Goma dhe nëntë në Ruandë. Qindra janë plagosur në përleshjet e vazhdueshme.
Vendasit thonë se si forcat qeveritare, ashtu edhe rebelët kontrollojnë pjesë të qytetit me 3 milionë banorë, përfshirë personat e zhvendosur brenda vendit.